Kreu i Partisë së Lirisë është takuar në Himarë me babain e Fredi Belerit, Petro Belerin.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet për Belerin, i cili është dënuar për blerje votash, duke e cilësuar të rrëmbyer politik.
Gjithashtu ka bërë me dije se do të bëjë kërkesë për ta takur brenda qelisë, kryetarin e zgjedhur të Himarës.
Postimi i Metës:
Jam sot në Himarë, pranë Petro Belerit, babait të të rrëmbyerit politik nga banda në pushtet, që e ka rrëmbyer pikërisht për të rrëmbyer pronat e himariotëve në mënyrë që të pastrohen paratë e drogës dhe krimit të organizuar.
Himara do ja tregojë vendin edhe nga burgu, regjimit të pengmarrësve dhe do t’ua tregojnë gjithmonë siç ja u ka treguar osmanëve njëherë e një kohë dhe siç ja u ka të gjithë pushtuesve dhe zaptuesve.
Nga e hëna do bëj kërkesën për të vizituar të rrëmbyerin politik në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që synon të çelë negociatat me Bashkimin Europian dhe të anëtarësohet, në një vend ku mbretëron arbitrariteti dhe jo vullneti i qytetarëve dhe demokracia.
Përshëndetje të gjithë himariotëve trima dhe guximtarë që u kanë dhënë shembull të gjithë shqiptarëve se si duhet sfiduar ky regjim grabitës dhe intimidues.