-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Dy sfida pranverore të Serbisë

Kryesoret

Këshilli i Evropës dhe Rezoluta për Srebrenicën janë testim i Serbisë ndaj qëndrueshmërisë së bashkësisë euroatlantike, madje edhe asaj ndërkombëtare. Dhe, këta janë hapa që e largojnë Serbinë tutje prej normalizimit

1.

Serbia është përgatitur ta sfidojë bashkësinë euroatlantike – madje edhe më gjerë atë ndërkombëtare – në javët e ardhshme.

Sipas presidentit Vuçiq, Serbia do të angazhohet kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kundër aprovimit të Rezolutës së OKB-së lidhur me dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE kalon fazën parapërfundimtare më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të KiE, ndërkohë që Draftrezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë është në konsultim e sipër me shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së; ende nuk është e caktuar data kur do të mund të votohej për të.

Me këtë Serbia po niset në një shkallë të re të kontestimit të, nëse mund ta quajmë ashtu, rendit ndërkombëtar; apo rendit ndërkombëtar çfarë është deri më sot. Në këtë rend supozohet se Serbia është një shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe është shtet i cili i mbetet besnik multilateralizmit të ndërtuar nga OKB-ja.

Por, gjatë muajve prill dhe maj, nëse vazhdon me aktivitete të kontestimit në KiE dhe OKB, Serbia po i konteston BE-në dhe OKB-në.

2.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të duhej të ishte rezultat i natyrshëm i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, do të duhej të ishte produkt i politikës së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, ashtu siç është përcaktuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të cilën Komisioni Evropian, nëpërmjet nënkryetarit të saj J.Borell, e konsideron ligjërisht të obligueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia megjithatë konsideron se nuk është e obliguar të respektojë pikën 4 të Marrëveshjes (e as ndonjë pikë tjetër që flet për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës).

Kështu Serbia mund të kontestojë Marrëveshjen, por në thelb është duke kontestuar se ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Dhe këtë mund ta bëjë, ngase vetë BE-ja nuk është gjithaq e sigurt se Marrëveshja për rrugën e normalizimit hyn në kategorinë e marrëdhënieve kontraktuale: Komisioni i BE-së ende nuk ka arritur të kryejë obligimin që e kishte marrë në dhjetor të vitit të kaluar që deri në fund të janarit të këtij viti ta integrojë Marrëveshjen e normalizimit si pjesë të obligimeve kontraktuale të Kosovës dhe respektivisht Serbisë me BE-në.

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë do të duhej të ishte pjesë normale e procesit të pajtimit pas luftërave në ish-Jugosllavi. Një vendim që 11 korriku të shënohet në kuvende të shteteve evropiane është miratuar në Parlamentin Evropian dhe shumë shtete evropiane, përfshirë Kosovën, e kanë shënuar. Një iniciativë e këtillë tash po ndërmerret në nivel botëror nga ana e dy bashkësponsorëve të Rezolutës, Ruanda dhe Gjermania.

Që të dyja shtetet kanë përvojë të tmerrshme me gjenocidin. Holokausti i Gjermanisë naziste ishte shkaktari që  pas Luftës së Dytë Botërore fillimisht të sajohet fjala “gjenocid” e pastaj edhe të shndërrohet në term të së drejtës ndërkombëtare. Në Ruandë, para saktësisht tridhjetë vjetësh, u shënua akti më i tmerrshëm i gjenocidit pas Luftës së Dytë Botërore, me mbi 800 mijë të vrarë, ndërsa shtetet e mëdha dhe OKB-ja vëzhgonin pa vepruar për ta penguar.

Gjermania është sot shembulli më i mirë i ballafaqimit me të kaluarën dhe të ndërtimit të një shoqërie tolerante e demokratike nga një shoqëri totalitare që ishte në gjendje të vriste miliona njerëz. Ruanda për tridhjetë vjet rresht u përpoq të ndërtonte një shoqëri që tejkalonte ndasitë e mëdha mes dy popujve, hutu dhe tutsi, duke ndërtuar një projekt vetjak të ballafaqimit me krimet.

Pra, kur këto dy shtete (dhe shumë të tjera që e përkrahin Rezolutën për Srebrenicën) thonë se është koha që bota në tërësi të shënojë 11 korrikun, ditën kur më 1995 u vranë mbi tetë mijë fëmijë e burra boshnjakë-myslimanë, ky duhet të jetë një akt që do të bashkojë edhe popujt e ish-Jugosllavisë rreth aktit më të tmerrshëm të luftërave në atë pjesë të botës.

3.

Por në Serbi, në atë zyrtare dhe në një pjesë të madhe të opozitës, ekziston një bindje tjetër rreth Srebrenicës. Ekziston bindja se atje ndodhi një krim i rëndë, por jo edhe gjenocid, sepse po të kishte ndodhur gjenocidi atëbotë “serbët do të ishin popull gjenocidal”.  Rrjedhimisht, Republika Serbe në BeH do të ishte prodhim i gjenocidit.

Mbase ky do të ishte shembulli më i mirë i procesit nëpërmjet të cilit po kalon ligjërimi publik në Serbi , e fjala është për adaptimin e realitetit paragjykimeve politike. Edhe pse  gjenocidi në  Srebrenicë është tashmë i konstatuar juridikisht – Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mladiqi janë dënuar për këto vepra dhe po mbajnë burg deri në ditët e fundit të jetëve të tyre për këtë – ligjërimi serb po përpiqet ta mohojë këtë duke vënë përpara jo fakte që do të mohonin ekzistencën e gjenocidit në Srebrenicë, por arsyetimin se përse Serbisë nuk i konvenon që kjo të jetë e vërtetë.

Rrjedhimisht ky shndërrohet në parim të ligjërimit në Serbi: realiteti duhet t’i adaptohet projeksionit të ligjërimit serb. Kjo shihet edhe në rastin e Kosovës: Serbia është në rrugën evropiane, e pranon planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por Kosova nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse, sipas paragjykimit serb, Kosova nuk është shtet dhe meqë paragjykimi serb është se Kosova nuk është shtet, realiteti i tërë kontinentit evropian duhet t’i adaptohet këtij paragjykimi.

4.

Sfida së cilës i ka hyrë Serbia në OKB mund të jetë një autogol i madh politik. Ligjërimi i Serbisë gjatë këtij shekulli ka qenë se ky vend u qëndron besnik të drejtës ndërkombëtare dhe OKB-së, ndërkohë që njëkohësisht po ky vend po përpiqet të mohojë atë që e drejta ndërkombëtare dhe një institucion i krijuar prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, ka konstatuar – se në Srebrenicë është kryer gjenocidi.

Ndoshta ky autogol mund të jetë i përllogaritur si pjesë e një lëvizjeje që tregon se Serbia është e gatshme ta bëjë edhe këtë – pra ta sfidojë një realitet të mirëqenë e të vërtetuar, siç është gjenocidi në Srebrenicë. Dhe se bashkësia ndërkombëtare për ta akomoduar Serbinë brenda saj duhet të jetë më e mirëkuptueshme për brengat e tjera të saj, për shembull në Kosovë.

Ky cikël i sfidimit të realitetit nuk është i ri. Në një analogji që tash duket e largët, ky sfidim ka ndodhur  në një periudhë tjetër të zhvillimeve tektonike në kontinentin evropian; Slobodan Milosheviqi e kishte bërë këtë pasi kishte rënë Muri i Berlinit.

Ndërsa e tërë Evropa hiqte dorë prej komunizmit dhe përqafonte lirinë e tregut dhe të drejtën e konkurrencës shumëpartiake e liritë e tjera politike, Serbia e tij avokonte për një “pluralizëm njëpartiak”, si demokraci e vetme autentike.

Prapa këtij avokimi fshihej një përllogaritje e thjeshtë: në demokraci, ku sundon shumica e fituar në vota, në Kosovë do të sundonin ata që nuk pajtohen me nënshtrim të Serbisë. E tëra pastaj është histori dhe e përgjakshme.

Momenti nëpër të cilin po kalon kontinenti evropian është sërish tektonik, me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe përpjekjen për vendosjen e një rendi të ri evropian e botëror. Sfidat e Serbisë – rreth KiE dhe Srebrenicës – do lexuar brenda këtij konteksti. Për fat të keq, janë hapa që e largojnë Serbinë prej idesë së normalizimit, qoftë të raporteve brenda regjionit të Ballkanit Perëndimor, qoftë të regjionit me BE-në./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit