-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ksenofon Krisafi: Në 100 vjetorin e lindjes së prof. Arben Putos

Kryesoret

100 vjet më parë, më 6 prill 1924, u lind në Manalat të Gjirokastrës, prof. Arben Puto, njeri nga personalitetet me te spikatura, figurat më të veçanta, më cilësoret dhe më prodhimtarët, e shkencës juridike dhe asaj historike shqiptare. Është një përvjetor jubilar, që jep mundësinë për të folur e shkruar për një nga më të mëdhenjtë e vendit, një akademik, dijetar dhe shkencëtar të nivelit europian e botëror, atdhetar trim, të vendosur dhe parimor, mbështetës të pasionuar të zhvillimit shoqëror, iniciator dhe luftëtar të promovimit të drejtësisë sociale, integrimit shoqëror, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, frymëzues i brezave të rinj etj.

Jam veçanërisht i privilegjuar të shkruaj për të, sepse kam pasur rastin të kem qenë për shumë vjet student, doktorant, asistent dhe më pas koleg në lëndën E drejta ndërkombëtare dhe punonjës i sektorit shkencor që drejtohej prej tij, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Në këtë strukturë akademike e administrative, bënim pjesë një grup kolegësh dhe miqsh të ngushtë, si profesori i mrekullueshëm Grigor Gjika, miku im Aleks Luarasi dhe, si “anëtarë honorifikë”, na ndiqnin shumë shpesh edhe të profesorët e respektuar, Luan Omari dhe Zija Xholi, ish dekanë të fakultetit.

Për mua prof. Puto, ishte kolegu, miku dhe mësuesi i dashur dhe i pashoq. Puna dhe bashkëpunimi i ngushtë  shumëvjeçar, angazhimet e përbashkëta shkencore, akademike, shoqërore, miqësia dhe konfidencialiteti si shokë zyre, më kanë dhënë mundësinë të mësoj shumë nga dijet, formimi i shkëlqyer profesional e kulturor, nga stili dhe metodologjia e punës, por edhe nga parimësia dhe etika e lartë e sjelljeve të përkora në raport me të tjerët. Në një jetë të gjatë miqësie e bashkëpunimi jam njohur me episode dhe hollësi nga jeta e tij që pakkush i di.

Prof. Arben Puto është ndër ata, për jetën dhe kontributet e të cilit, me siguri, do të shkruhen studime monografike. Në këtë shkrim do të flitet shumë shkurt për disa nga etapat e jetës dhe veprimtarisë shkencore, akademike, shoqërore etj

***

Universi njerëzor i prof. Arben Putos është kompleks, madje jashtëzakonisht befasues, mahnitës. Është jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale e një prej intelektualeve më të shquar të Shqipërisë, e përbërë nga episode të shumta, një pjesë e të cilëve gati të pabesueshme. Është shembulltyrë e vet jetës shqiptare, në shek. XX dhe në dekadat e para të shek XXI, ku mpleksen, zhvillohen, zbehen, harrohen ose gdhënden e përjetësohen në histori ose në art, ecja e Shqipërisë, jeta normale e njeriut të zakonshëm, grotesku ose falsiteti i njerëzve të shtirur, por edhe heroizmi dhe lavdia e idealistëve dhe atdhetarëve, që atë e patën në krye të gjithëçkaje.

Prof. Puto ishte fëmija i Qazimit, Qazos, siç e thërrisnin dhe i Nebos, që të dy me prerjardhje nga “derë e madhe”, pasanike, të Gjirokastrës. Babai kishte qenë nxënës i Sulejman Delvinës dhe i Bajo Topullit, figura protagoniste të lëvizjes patriotike shqiptare, anëtar i “Çetës së studentëve” të Dervish Himës, ithtar i Fan Nolit dhe përkrahës i revolucionit të 1924-ës, sekretar i prefekturës së Gjirokastrës, i internuar dy herë nga Zogu, në Krujë dhe në Sazan, i burgosur nga Enveri, vëlla i një të pushkatuari nga pushteti komunist, sikurse edhe vjehrri i prej funksionarëve më të lartë të nomenklaturës komuniste. Ishte një burrë i mënçur, i urtë, i ndershëm, me emër shumë të mirë në shoqëri. Erdhi në Tiranë, bashkë me familjen në vitin 1943 dhe pas çlirimit të vendit, kur doli nga burgu, u tërhoq në vetminë e vet, nëpërmjet të cilës shprehte në heshtje qëndrimin disaprovues ndaj disa politikave të sistemit komunist.

Profesori u shkollua në Sarandë dhe në Gjirokastër, në Korçë, në Liceun Kombëtar (francez) dhe në Romë, në liceun “Châteaubriant”. 7 prilli i 1939, pushtimi i fashistëve italianë e gjeti 15 vjeç e një ditë. Në kohën e provës së madhe, Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, bashkë me motrën, Nefon, u gjendën në krahun e saj.

Jeta e tij eci përmes një trajektoreje gjithë çudira. Nxënës i Enver Hoxhës në liceun e Korçës, i cili pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, e përzgjodhi dhe së bashku me mikun e vet, Stefanaq Pollon, i dërgoi për studime universitare në ish-Bashkimin Sovjetik.

Atje, në Moskë, një bisedë rastësore me mikun dhe bashkëstudentin Petrit Radovicka, kur do të regjistrohej në fakultetin e inxhinierisë, do t’ia ndryshonte rrjedhën e mëtejshme të jetës. Ai e bindi se inxhinieria nuk i përshtatej karakterit të tij. Zgjodhi juridikun edhe pse profesionin e të ardhmes, të juristit, e donte pa angazhime në çështjet penale, civile ose procedurale. Për natyrën e vet, disi të veçantë, ato i dukeshin tepër prozaike. Zgjidhjen e gjeti tek e drejta ndërkombëtare. Kjo fushë studimesh, njëkohësisht degë e së drejtës dhe disiplinë mësimore në fakultetet juridike, do ta shmangte nga aspektet e “rëndomta” të lartpërmendura të jurisprudencës dhe do t’i hapte rrugën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të politikës së jashtme dhe të diplomacisë, ku do të kontribuonte me shumë elegancë, në bisedime me diplomatë e politikanë të huaj.

I apasionuar pas leximeve, letërsisë, poezisë dhe veçanërisht historisë diplomatike, bashkoi të drejtën ndërkombëtare, që e quante pjesën më interesante të së drejtës, me historinë.

Ishte student i disa prej akademikëve sovjektikë më me emër të asaj kohe të shkencave juridike. Midis tyre Fyodor Ivanovich Kozhevnikov, një nga profesorët më të mëdhenj në fushën e së drejtës ndërkombëtare, i njohur dhe vlerësuar edhe jashtë vendit, njëkohësisht anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe i Komisionit të së drejtës ndërkombëtare të OKB etj. Kozhevnikovi e përzgjodhi duke marrë përsipër udhëheqjen e tij në përgatitjen e temës së diplomës, për cilësinë e të cilës u vlerësua shkëlqyeshëm. Bashkëkohës me Mihail Gorbaçovin, i cili gjithashtu vazhdonte studimet për drejtësi në të njëjtin fakultet të Universitetit “Lomonosov” të Moskës. U kujtua për të vetëm kur ai u ngjit në majën e piramidës shtetërore dhe partiake sovjetike, kur u bë ideatori dhe iniciusi i reformave rrënjësore, perestrojka dhe gllasnost, që përshpejtuan fundin e sistemit komunist dhe shkaterrimin e perandorise sovjetike. Nuk mbante mend që gjatë studimeve Gorbaçovi të kishte lënë ndonjë gjurmë në memorien e tij.

Arriti shumë shpejt të zotëronte në perfeksion gjuhën ruse, çka i dha privilegjin që, së bashku me kolegun Stefanaq Pollo, të punësohej part time në Radio Moska, ku, ndër të tjera, siguroi një të ardhur tjetër financiare, që e përdorte jo aq për gastronomi se sa për blerje librash të shkrimtarëve dhe poetëve më të mëdhenj si dhe për ndjekjen e koncerteve artistike, të shfaqjeve operistike dhe baleteve të artistëve më të dëgjuar rusë e europianë.

I apasionuar pas letërsisë, poezisë dhe artit në përgjithësi, frekuentonte pothuajse rregullisht shfaqjet në Bolshoj Teatër. Fans dhe i njohur personal i balerinës me famë botërore, O. Lepeshinskaja. Kur ajo erdhi në Shqipëri për disa koncerte, rastësia i bashkoi në të njëjtin avion, nga Moska në Tiranë.

***

Kam pasur rastin të isha me profesorin tim në disa veprimtari të rëndësishme politike e diplomatike. Veçoj një prej tyre, ndoshta më e veçanta. Në marsin e vitit 1985 u ndodhëm në Paris, si anëtarë të delegacionit që do të bisedonte me britanikët për kthimin në Shqipëri të rreth 1574 kg ar, ish rezerva e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Mbahej peng në Londër për ta detyruar Shqipërinë të zbatonte një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që e kishte shpallur fajtore për incidentin e ndodhur në 22 tetor 1946, në ujrat e gjirit të Sarandës, ku u mbytën dy kryqëzorë anglezë. Shqipëria ishte ndëshkuar t’i paguante një dëmshpërblim prej 843 947 stërlina angleze. Refuzimi u bë shkak jo vetëm për bllokimin e arit, por edhe për ndërprerjen e çdo lidhjeje ndërmjet dy vendeve.

Në bisedime profesor Puto u shfaq si një ndër negociatorët me elegantë dhe më profesionistë, jo vetëm të delegacionit shqiptar, por të të dy delegacioneve. Kolegët britanikë nuk e kishin të lehtë të polemizonin dhe të kundërshtonin qëndrimet dhe argumentet e tij të parezistueshme.

Në veprimtarinë diplomatike e ndihmonte doemos edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, rusishtes, italishtes, frengjishtes dhe anglishtes.

Talenti i tij i dëshmuar në mësimdhënie, në veprimtarinë akademike, shkencore, sociale, diplomatike etj, e bënë një emër të njohur dhe të respektuar  brenda dhe jashtë vendit, të lauruar me tituj, grada e vlerësime të larta honorifike.

***

Shok i Nako Spirut, Stefanaq Pollos, Luan Omarit, Zija Xholit, Njazi Jahos, Petrit Radovickës, Hajredin Kumbaros, Jusuf Vrionit, Fatmir Gjatës, Llazar Siliqit dhe shumë njerëzve të tjerë me role e kontribute në politikën, ekonominë, drejtësinë, diplomacinë, historinë, shkencën, kulturën, artin etj

Kunat i një anëtari dhe një kandidati të Byrosë Politike të Partisë së Punës, i njohur me Nexhmije Hoxhën, por edhe me fëmijët e Hasan Dostit, anëtar i Komitetit Antifashist për Tiranën, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por më pas i akuzuar dhe i ndëshkuar me vërejtje nga organi kompetent i partisë komuniste, sepse gjatë kërkimeve arkivore në Londër, në një nga dokumentet e konsultuara prej tij për Mehmet Shehun, ishte shkruar shprehja “komandant i shquar, njeri me ambicje pa kufi”. Meqënëse këtë shprehje, të lexuar shkarazi prej tij në një letër ku jepeshin karakteristikat e disa prej drejtuesve të LANC-it, në Public Record Office, në fundin e pranverës së 1972, ai nuk e kishte raportuar “atje ku duhej”, në shtatorin e 1982, u bë objekt “linçimi” për më shumë se 6 orë, në një mbledhje të pazakontë të organizatës së partisë të fakultetit juridik.

Punonjës, për pak kohë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kur ministër ishte Behar Shtylla, që gjithashtu kishte mbaruar Liceun e Korçës. Nënkryetar i Komisionit të përkthimit në shqip të veprave të Stalinit, kryetar i të cilit ishte Mehmet Shehu.

***

Me largimin prej ministrisë, filloi pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku punoi deri sa doli në pension, njëkohësisht anëtar i Akademisë së Shkencave, pjesëmarrës aktiv në proceset demokratike të vendit pas vitit 1990, veprimtar i palodhur për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që e finalizoi me themelimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilin e udhëhoqi me guxim e mënçuri për shumë vjet, laureat i Çmimit të Republikës të shkallës së parë etj.

Me leksionet e jashtëzakonshme, zotërimin në perfeksion të tematikës së tyre, stilin e ligjërimit, begatinë e pakufishme të të shprehurit, metodologjinë e përdorur etj, ai ishte një ndër profesorët më të pëlqyer.

Oratoria dhe elokuenca e tij në dhënien e leksioneve dhe në konferenca shkencore u dëgjua dhe u vlerësua edhe në universitete të huaja si në Sorbonë, Gjenevë, Romë, Bari, Londër, Athinë, Selanik, Stamboll, Prishtinë, Shkup, Vjenë, Bruksel, Berlin etj.

Një faqe e ndritur e veprimtarisë së profesor Putos janë ligjërimet disavjeçare në Universitetin e Prishtinës në vitet ’70 shekullit të kaluar, ku, së bashku me kolegë të tjerë, gjithashtu personalitete të shquara të kulturës, arsimit, artit, shkencës, kontribuan në rizgjimin dhe konsolidimin e ndjenjës kombëtare te studentët dhe njerëzit e zakonshëm të Kosovës.

U bë themeluesi par excellence i shkollës shqiptare të së drejtës në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare në veçanti dhe historisë diplomatike të çështjes shqiptare. Ishte padyshim një ndër bashkëthemeluesit e Fakultetit juridik të Universitetit të Tiranës. Emri i tij shkëlqen në panteonin e profesorëve të tjerë që me aftësitë, dijen e gjithanshme, punën, pasionin dhe përkushtimin hodhën bazat e studimeve dhe të doktrinës juridike shqiptare.

Zgjedhjen e tij  formimit të vet professional, të Drejtën Ndërkombëtare dhe Historinë e Çështjes diplomatike shqiptare, ma sugjeroi edhe mua, shumë vjet më vonë si pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.

 

***

Ishte autor punimesh, artikujsh shkencorë e kumtesash si dhe monografish e librash, nga më të mirët në literaturën juridiko-ndërkombëtare dhe historiografike shqiptare, të botuara ose  të referuara në konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit.

Midis tyre janë “E drejta ndërkombëtare publike”; “Historia e Shqipërisë” (bot. frëngjisht dhe anglisht); “Historia e Shqipërisë” (bashkautor në vëll. III dhe IV); “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912–1914”; “Demokracia e rrethuar”; “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, në tri vëllime; “Historia diplomatike e çështjes shqiptare”, “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha: (1912-1914)”. “Shqipëria politike”, “Shkrime të Zgjedhura”, “Lufta Italo-Greke, diktatorë e kuislingë”, “Nëpër analet e diplomacisë angleze” etj. Në to spikat lehtë përgatitja shkencore, kultura e gjithanshme, talenti, pasuria leksikore dhe stili brilant i të shkruarit.

***

Nëpërmjet trajtimit me kompetencë të admirueshme profesionale Profesor Arben Puto është ndalur gjerësisht në çështjet e lartpërmendura, duke u prezantuar edhe si një ndër njohësit më të mirë të historisë së Shqipërisë dhe jo vetëm të saj por edhe historisë botërore. E ka ndihmuar fakti që ishte specialisti dhe njohësi më i mirë i së Drejtës Ndërkombëtare, teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë së diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare etj.

Në një kombinim harmonik dhe elegant, shkoi në sitën e specialistit të fushave të mësipërme, pothuajse gjithë ngjarjet dhe zhvillimet e historisë shqiptare. I analizoi, gjykoi dhe vlerësoi edhe në këndvështrimin juridiko-ndërkombëtar, duke iu dhënë shpjegime bindëse, origjinale.

Nuk la jashtë vëmendjes ngjarje pak të trajtuara ose të vështruara nën ndikimin e ndërhyrjeve të politikës dhe ideologjisë nga brenda, por sidomos nga jashtë. E ka realizuar në një vështrim tërësor në rafshin historik dhe juridiko-ndërkombëtar duke e analizuar gjithë itinerarin historik të shqiptarëve nisur nga Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës, marrëveshja austro-italiane e majit 1913, Lufta e Parë Botërore dhe Traktati i Fshehtë i Londrës, Konferenca e Paqes e Parisit, Akordi Titoni-Venizellos, Lufta e Vlorës, pranimi  i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, trajtimi i problemeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve të Parisit, 1921, çështja e caktimit të kufijve shqiptarë, njohja e shtetit dhe e qeverive shqiptare, shqiptarët prej vitit 1878 deri në vitin 1939, Lufta italo-greke, Konferenca e Paqes e Parisit, 1946 etj. zhvillimet në periudhën ndërmjet dy luftrave, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore etj. Pjesë e fokusit të tij akademiko-shkencor ishte edhe Kosova, trojet shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar, në universitetet e të cilave ka ligjëruar  me shumë passion e kompetencë, për shumë vjet, minoritetet, përmbysja e komunizmit dhe vendosja e demokracisë etj.

***

Tema më e preferuar e studimeve të tij ishte pavarësia e Shqipërisë, në të gjithë vektorët, elementët përbërës dhe specifikat me të cilat u shoqërua. Ajo i ka dhënë vendin e patriarkut në panteonin e historisë së pavarësisë shqiptare dhe të historisë diplomatike të çështjes shqiptare. I ka kushtuar gati tërësisht veprimtarinë e vet studimore e krijuese. Me shumë përkushtim dhe duke shfrytëzuar pothuajse gjithë fondet burimore, arkivore e bibliografike, të disponueshme në vendet me interesa ose me lidhje të posaçme me çështjen shqiptare, e ka trajtuar si askush tjetër, në mënyrë ezauruese.

Ka sjellë teza të reja, që e venë në vendin dhe në shtratin e duhur trajtimin shkencor të kësaj ngjarjeje dhe periudhe kruciale në historinë e shqiptarëve. Një ndër to,  është fjala vjen teza se, pa mohuar rolin e faktorit ndërkombëtar, pavarësia e Shqipërisë, dalja e shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ishin në radhë të parë produkt i faktorit të brendshëm, frut i përpjekjeve shekullore të vetë shqiptarëve, i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Gjithë sa u tha më sipër është e trajtuar në librin emblematik “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914”, që mund të cilësohet edhe si ekuivalent i të vërtetës, që flet vetë, i cili erdhi për t’iu evokuar shqiptarëve të vërtetat e mëdha të vlerave dhe të aftësive të tyre shpesh herë të nëpërkëmbura, të mohuara dhe të sulmuara. Është modeli i shkëlqyer i një studimi të guximshëm, jo konformist që dëshmon një profesionalizëm që i qëndron larg miklimeve ose edhe kërcënimeve të politikës apo të qarqeve pseudoshkencore që duan të krijojnë histori të paqena dhe të ngrenë nga hiçi personazhe fantomatike. Me dritën e fuqishme që rezaton, zhvleftëson çdo tentativë për të cënuar apo për të vënë njolla në historinë e shqiptarëve.

Te “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914”, objekti kryesor i shqyrtimit është aspekti diplomatik i çështjes shqiptare në evolucionin e vet në etapën “klasike” të imperializmit, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Autori është fokusuar posaçërisht në studimin në detaje të dy viteve të ngjarjeve më të bujshme në jetën e shqiptarëve, kohës kur u përmbys epoka e kombit shqiptar të robëruar dhe u inagurua fillimi i një epoke tjetër, krijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur. Këto vite përpjekjesh epokale autori i ka dhënë përmes analizës dhe përgjithësimeve të një morie faktesh dhe ngjarjesh, përmes shqyrtimit të kujdesshëm e tërësor të dokumenteve të mbledhura në fondet e arkivave të Vjenës, Romës, Parisit, Londrës dhe në arkivat shqiptare, si dhe përmes vështrimit objektiv dhe të paanshëm të disa qindra studimeve dhe botimeve kushtuar kësaj periudhe dhe kësaj teme, të shkruara nga autorë vendas, por veçanërisht të huaj.

Ai ka deklaruar se është ndalur “në periudhën e Pavarësisë (1912-1914) jo rastësisht sepse ajo është pa dyshim një periudhë kthese në historinë tonë kombëtare, por edhe e vetmja periudhë që i hapet trajtimit sintezë të çështjes shqiptare me të gjitha problemet që ka shtruar tani dhe më parë.”

Në libër përshkruhet me mjeshtëri të rrallë kryearkitekti dhe ati shpirtëror i pavarësisë shqiptare, biri i shquar i Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, patrioti i madh Ismail Qemali. Profesor Puto e ka dhënë atë me një profil të spikatur atdhetar, si politikan të mbrujtur me ideale të thella kombëtare, si një nga personazhet qendrorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ismail Qemali, sipas prof. Putos, ishte politikan me kulturë të gjithanshme, njeri me vizion dhe horizont të gjerë, me koncepte solide demokratike, udhëheqës i nivelit europian, me bindje liberale përparimtare. Është paraqitur si shtetar dhe diplomat i formatit ndërkombëtar dhe është vendosur në vendin e nderit të politikës dhe diplomacisë shqiptare të të gjitha kohrave. Profesori e shpërshfaq si një veprimtar me njohuri të thella në politikë e në histori, në diplomaci e jurisprudencë, me logjikë të shëndoshë dhe forcë imponuese të argumentit apo të arsyetimit, me këmbëngulje të paepur për mbrojtjen e kauzës së shenjtë të atdheut të vet. Ai ka nxjerrë në dritë më mirë se kushdo rolin dhe aftësitë e gjithanshme politike, erudicionin dhe njohuritë e gjera, guximin, urtësinë, largpamësinë dhe pathosin patriotik, tipare inherente të personalitetit të tij, që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.

Ismail Qemali, siç pohon autori, realizoi synimin madhor që Kuvendi Kombëtar i Pavarësisë të kishte përbërje dhe karakter mbarëkombëtar. Në kushtet tepër të vështira të asaj kohe, i përballur me pengesa të pafundme nga segmente të caktuara të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht nga fqinjët, por edhe nga kundërshtarë politikë brenda vendit, Ismail Qemali arriti të mblidhte në kuvendin e themelimit të Shqipërisë së pavarur, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria etj.

Shtysa kryesore për t’u angazhuar në këtë fushë, siç është shprehur vetë, i “ka ardhur nga bindja se përpunimi i historisë diplomatike ka një rëndësi të veçantë në rastin tonë. Historia diplomatike e nxjerr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në dimension të ri, e vendos atë në kontekstin ballkanik e bile evropian, në një plan më të gjerë.”

Me stil tërheqës, me shumë art, me gjuhë gati letrare, ai na drejton në itinerarin që do të çonte në ditët e pavarësisë, në hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe daljen e tij si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Me këmbëngulje, përkushtim atdhetar dhe aftësi të veçanta, ka dhënë një vepër madhore, një nga studimet më të mira, më të plota e më të përsosura të historiografisë shqiptare për këtë temë.

Ecuria e zhvillimeve të bujshme të asaj kohe, pas shpalljes së pavarësisë do të vazhdonte me përpjekjet për afirmimin ndërkombëtar të shtetit shqiptar. Që në ditën e parë, më 28 nëntor, Ismail Qemali do t’iu drejtohej Fuqive të Mëdha, Portës së Lartë dhe fqinjëve me kërkesën për njohjen e shtetit të porsakrijuar. Vështrimi i gjerë panoramik dhe analiza e thellë e ngjarjeve dhe fakteve ka nxjerrë në dritë disa të vërteta të mëdha që përfaqësojnë historinë reale të pavarësisë dhe të lindjes së shtetit shqiptar, qëndrimet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha të shfaqura gjatë shqyrtimit të statusit politik nga Konferenca e Ambasadorëve, 1912-1913 dhe posaçërisht vendimet e saj për të ardhmen politike të Shqipërisë, vendimet e 17 dhjetorit 1912 dhe ai i  29 korrikut 1913 për statusin e saj, vendimet e 22 marsit dhe 11 gushtit 1913 për cungimin e territoreve dhe caktimin e kufijve, përpjekjet për anulimin e veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe shkatërrimin e saj, “dorëheqja” e imponuar e Ismail Qemalit dhe  instalimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit etj.

Prof. Puto shtjellon gjithashtu  ardhjen, qëndrimin dhe largimin e princ Vidit nga Shqipëria, për të cilin ka dhënë një nga përkufizimet më ekcselente duke thënë se “Principata e Vidit nuk është as eveniment as festë. Është folklor, ekzotikë”.

Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914” nuk është vetëm një vepër themelore me karakter historik. E trajtuar nga një shkencëtar me profil të dyfishtë, historian i klasit të parë dhe jurist i shkëlqyer, krijuesi së drejtës ndërkombëtare në Shqipëri, por edhe një nga studiuesit dhe njohësit më të mirë të së drejtës publike dhe të drejtës kushtetuese shqiptare, ajo ka patur fatin më të mirë të mundshëm, për t’u shtjelluar në të gjitha aspektet e veta, si në atë historik ashtu edhe në atë juridiko-ndërkombëtar dhe juridiko-kushtetues. Është kjo me sa duket edhe një ndër arsyet pse vepra e Prof. Putos tingëllon veçanërisht interesante. Ajo është histori politike, histori diplomatike dhe njëkohësisht histori e institucioneve të shtetit të parë modern shqiptar dhe e së drejtës së tij.

***

Prof Puto argumenton se gjithë historia e Lëvizjes kombëtare shqiptare ka në themel unitetin kombëtar, bashkimin e gjithë pjesëve të kombit si një trup i vetëm. Rrethana të caktuara kanë krijuar disa dallime specifike, të natyrës fetare, krahinore, zakonore e dialektore, që nuk janë ekskluzivitet sqiptar. Por ato janë vetëm dallime, jo ndarje. Nuk kanë munguar asnjëherë përpjekjet e sinqerta për eliminimin ose së paku kufizimin e tyre. Merita kryesore i përket veçanërisht Rilindjes kombëtare, personaliteteve të elitës shqiptare, korifenjve të mendimit politik të shek. XIX, nga të cilët  ai veçon Vaso Pashën, vëllezërit Frashëri,  Ndre Mjedën, Fan Nolin, Faik Konicën, Sotir Pecin, Shahin Kolonjën  etj.

E shqetësonte përpjekja për abuzim nëpërmjet sloganit të të ashtuquajturit rishkrim të historisë nën presionin e politikës vendase ose presioneve të qarqeve shoviniste fqinje. Ai shkruante se tendenca ngulmuese për ndërhyrje të vrazhdë të politikës në histori, nuk është rishkrim, por vënie e historisë në funksion të interesave të politikës së ditës. Nuk mund të ketë “rishkrim të historisë”, kur, sa herë ndërrohen pushtetet, ndërrohen edhe drejtuesit e institucioneve shkencore, madje dhe tekstet e historisë. Talenti i një historiani duket kur shpjegon saktë mentalitetin e kohës për të cilën studion. Për këtë i referohet historianit shqiptar tejet serioz, dhe antikomunist, ish mësuesit të tij në Liceun e Korçës, Stavro Skëndi, i cili thoshte se “unë historiografinë komuniste nuk e mohoj, por e shoh me sy kritik”. Kritika ndaj një historiografie nuk mund të bëhet me urdhra nga lart, thoshte Puto.

Konceptin e tij për rishkrimin e historisë e ka konkretizuar në librin Histoire de l’Albanie, des origines à nos jours, botuar nga Horvath, në vitin 1974. Ai është një ndër autorët e tij, së bashku edhe me Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri dhe Skënder Anamali. Vlerësohet si një ndër botimet më të cituar në gjuhë të huaj, shkruar nga shqiptarët, që i është kushtuar historisë së Shqipërisë. Preferohet jo vetëm sepse përshkohet nga një përpjekje relative për çideologjizimin e tepruar, karakteristik për librat ku operohej me formulime dhe interpretime që imponoheshin nga ndërhyrja e politikës në histori, por edhe sepse ishte shkruar me stil të moderuar. U përkthye më vonë në anglisht dhe konsiderohet si teksti i dytë i historisë së Shqipërisë në gjuhë të huaja i hartuar nga shqiptarët. I pari ishte bërë nga Kostë Cekrezi, botuar nga MacMillan Co, në Nju Jork, në prill 1919, me titullin “Albania: Past and Present”.

***

Familjarët, të afërmit, miqtë, kolegët, si dhe disa mijëra ish studentë të fakultetit të drejtësisë, pjesë e brezave të shumtë që kanë pasur privilegjin të frekuentonin leksionet e tij, kujtojnë këto ditë me krenari 100 vjetorin e ardhjes në jetë të prof. arben Puto. Do kalojnë shumë vjet të tjerë dhe profesori ynë i dashur, do të kujtohet gjithmonë si një prej personaliteteve të papërsëritshëm të vendit, si një prej njerëzve më të shquar të kombit që deri në fund të jetës punoi me përkushtim për vendin dhe popullin të cilit i përkiste.

Në këtë ditë jubilare miqtë dhe kolegët, nuk mund të mos ndjejnë njëlloj keqardhje që organet e  pushtetit qendror e vendor, nuk janë kujtuar për ta përjetësuar emrin e tij të ndritur. Do të ishte privilegj shumë i veçantë për çdo institucion, institut, universitet, shkollë, bibliotekë, rrugë etj, që të mbante emrin e bukur “Arben Puto”. Le të kujtojmë se një gjë e tillë është bërë me disa dhjetra e dhjetra të tjerë, për të cilët është vepruar shumë mirë, por është e papërligjur që midis tyre të mungojë akademiku Arben Puto. Le të shërbejë ky jubile si një kujtesë për korigjimin e kësaj anomalie të papërligjur, madje jo vetëm për emrin e prof. Arben Putos, por edhe të emrave të mjaft personaliteteve të tjera shqiptare të nivelit botëror.

Në 100-vjetorin e lindjes ne nderojmë trashëgiminë e tij të begatshme. Profili njerëzor dhe akademik, si dhe kujtimi i ndritur do të mbeten përgjithmonë të paharruar./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit