Deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, ka përcaktuar 10 janarin e 2024, si datë kur Kuvendi duhej të kishte miratuar bazën ligjore që KQZ të ecte me votën e diasporës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Gjendur në këto kushte, deklaroi ai, PD do t’i drejtohemi SPAK-ut dhe shtoi se gjithashtu do të dorëzojnë projekt-amendamentin.
“Kemi paraqitur disa kërkesa Nikollës, që është kallëzuar nga ana jonë në SPAK.
Janë një sërë interpelancash me kryeministrin, disa iniciative ligjore siç është paketa e mbështetjes së SPAK, paraqitja e kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetëve që është nevojë urgjente, kemi paraqitur dhe projekt-propozimet e Kodit Zgjedhor.
Ka një vendim të Gjykatës që ka përcaktuar deri më 10 janar të 2024, Kuvendi duhet të kishte miratuar bazën ligjore që KQZ të ecte me votën e diasporës.
Që nga ndryshimet kushtetuese, një nga instrumente për moszbatimin e një vendimi gjyqësor, t’i drejtohemi SPAK.
Politika duhet t’i nënshtrohet ligji njësoj si qytetarët shqiptarë. Mjeti tjetër është që me kompetencën që na jep Kushtetuta, të dorëzojmë projekt-amendamentin.
Zgjidhja jonë për votën e emigrantëve është e thjeshtë, që të votojnë njësoj si shqiptarët këtu, me të njëjtat garanci, rregulla dhe lehtësi, pa i ngarkuar me kosto financiare. Duhet vullnet i thjeshtë politik dhe i sinqertë, për t’u ekzekutuar kjo e drejtë” tha ai.