-sidi education-spot_img
35.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: A mund të hiqen vizat me SHBA-në?

Kryesoret

Gjatë konventës së PD-së, ku shpalosi premtimet e programit të tij për zgjedhjet e ardhshme politike, ndër të tjera, zoti Basha bëri publik edhe projektin për nisjen e një procesi, i cili do të konkludohet me liberalizimin e vizave me SHBA. I publikuar në medien e të gjitha llojeve, ideja e tij u shoqërua me skepticizëm, krahas komenteve pozitive aty-këtu. Komente këto që vinin si nga ana e lexuesve, edhe nga ajo e disa gazetarëve.

Si zakonisht, në të tilla raste, dominon mosbesimi, përqeshja si dhe negativitete të tjera, që për fat të keq, më shumë tregojnë qëndrime vetëm emocionale e sipërfaqësore, pa u marrë mundimi të qëndrohet një moment mbi propozimin, për të mundësuar kuptimin e tij e më pas të diskutohet si një hap pozitiv, jo pa rëndësi, sidomos duke pasur parasysh numrin e madh të diasporës shqiptare në këtë vend. Sa më shumë të jetë i lirë e të qarkullojë një individ, aq më shumë mundësi ka për të realizuar veten. Gjithçka e shprehur rreth idesë, të gjitha komentet e bëra me këtë rast, të japin në mënyrën më të qartë, raportin që tashmë është krijuar në Shqipëri ndërmjet politikës zyrtare dhe masës së gjerë të popullatës. Kjo e fundit vazhdon ende ta shohë lidershipin partiak në krye të qeverisë ose drejt saj, si një individ që qëndron në krye të punëve për të plotësuar kërkesat e saj.

Gjithçka pritet në formën e një dhurate, e cila kënaq ose jo atë që pret. Nga ana tjetër, edhe vetë lidershipi politik e ka kultivuar këtë perceptim të publikut në format nga më të ndryshmet, madje hera-herës kryeministra apo qeveritarë të niveleve të larta transformohen në figurën e plakut të Vitit të Ri për t’i mbushur mendjen vegjëlisë se sa shumë dhurata ka premtuar për të dhe se sa shumë e ka mbajtur fjalën. Madje, kjo logjikë kthehet në një garë aspak serioze dhe ndërmjet vetë partive. Me fjalë të tjera, në tërësinë e saj politika shqiptare ende nuk është në gjendje të ofrojë për publikun e gjerë nisma politike, suksesi i të cilave kërkon me patjetër impenjimin dhe përgjegjshmërinë e masës së gjerë të popullatës. Asnjë premtim politik nuk quhet i mbajtur nëse nuk shoqërohet me ngritjen e nivelit të përgjegjësisë sociale të individit për atë që projektohet apo edhe realizohet. Ndërkohë mentaliteti i deritanishëm i qeverisjes, trashëgimi e pastër e monizimit, nuk krijon komunitet, por një numër të madh individësh që në çdo hap të bërë nga qeverisja, shohin vetëm veten dhe jo pak më larg se vetja.

Kurse oferta e zotit Basha nuk është në të njëjtin kontekst të dhuratës së një drejtuesi politik për popullin e tij e që më pas të fillohet nga komentet “jo e bën, jo nuk e bën” apo “ai nuk ka gjë në dorë” e të tjera si këto. Është e dhimbshme kur sheh se negativiteti i ngulitur në mendimet individuale me shumicë, nuk arrin të analizojë një premtim, të cilin ai e bëri publik.

Përse ky propozim i bërë nga zoti Basha është i ndryshëm? Sepse realizimi i tij varet shumë, madje në mënyrë vendimtare nge vetë njerëzit. Kjo do të thotë që në rast se nuk realizohet ky liberalizim, humbja nuk është vetëm e një politikani, por e të gjithëve. Pa llogaritur me këtë rast që në një kontekst që kërkon rritje të përgjegjshmërisë sociale të individit, zor se projekti politik dështon.

Nga ana tjetër, gati nga të gjithë në një zë thuhet se SHBA-të janë aleati më i madh i Shqipërisë. Po ashtu me buçima kumbuese, secili nga krahët politike mundohet të shfaqet më i afërt se tjetri me administratën amerikane. Gati pa përjashtim politikanët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-ve bëjnë foto sa para e mbrapa me figura politike të këtij vendi, për të na treguar se sa të rëndësishëm janë. Madje, me anë të këtyre fotove mendojnë të rrisin popullaritetin e të ngjisin shkallët e karrierës politike. Gjëra të tilla sigurisht janë thënë e stërthënë. Po në fund del edhe një pyetje: Kur jemi kaq afër dhe të lidhur kaq fort, përse SHBA-të nuk liberalizojnë vizat me shqiptarët?

Deri më sot asnjë nga këta individë të mësipërm, aq krenarë në pozat nëpër foto, nuk e ka atakuar këtë temë e aq më pak të ketë marrë një nismë konkrete. Kjo sepse, siç u citua më sipër, të gjithë eksponentët e politikës dëshirojnë të bëjnë dhurata dhe një dhuratë të tillë e dinë që nuk e bëjnë dot. Askush nuk e ka parë liberalizimin e vizave me SHBA-të si një projekt konkret për të parë se cilat janë konkretisht kushtet për ta realizuar. Kushtet teknike madje ekzistojnë sepse edhe në liberalizimin e vizave me vendet Shengen, investimi i administratës amerikane ka qenë kolosal. Pra, ideja është që dikush në nivelin politik, të mësojë, të kuptojë e të bëjë publik se çfarë i pengon shqiptarët të shkojnë në SHBA pa viza. Problem politik sigurisht nuk ka. Nëse ka ndonjë problem teknik, ai rregullohet shpejt. Duket se problemi jemi vetë ne, shqiptarët që duam vetëm të drejta, por pak ose aspak nuk mendojmë për detyrimet.

Do të ishte mjaft me përfitim për të gjithë që fillimisht të hapej një debat publik në bashkëpunim me institucionet e këtij vendi lidhur me respektimin e kushteve të lëshimit të vizave nga shqiptarët që janë pajisur me viza. SHBA-të ka dhënë dhe jep viza me shumicë për shqiptarët, por deri më sot institucionet tona nuk janë interesuar të dinë e të bëjnë publik se sa për qind e përfituesve që kanë marrë këto viza i kanë respektuar kushtet e saj. Në rast se përqindja e atyre që nuk respektojnë rregullat e hyrjes e të qëndrimit në këtë vend, është e lartë, kemi të bëjmë me një trupë sociale, e cila nuk ka pjekurinë e duhur në raport me përgjegjshmërinë për të respektuar ligjin amerikan për motivin e vizës, për kohën e qëndrimit apo edhe për kushtet e hyrjes. Pasojat për këtë i paguajnë të tjerët që janë më të shumtë dhe që i respektojnë. Pra, faji është i numrit të madh të individëve që shkelin rregullat, duke u futur në ilegalitet e duke u kthyer në rrezik publik.

Me terma të tjerë, kjo do të thotë se në rast se SHBA-të jepin 1000 viza në vit dhe nga këta 500 nuk kthehen, kjo do të thotë se jemi të pabesueshëm për të merituar një lëvizje të liberalizuar në këtë vend dhe se këta individë që nuk respektojnë këto rregulla, janë tërësisht të papërgjegjshëm, pasi me veprimet e tyre kundër rregullave, e kthejnë tërë komunitetin shqiptar si të rrezikshëm për të hyrë në këtë vend me regjim vizash të liberalizuar. Ashtu siç edhe ka ndodhur deri tani me liberalizimin e vizave me vendet Shengen, individi shqiptar, në shumicë, mundohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat të anashkalojë motivin ligjor për të cilin është akorduar lëvizja e lirë dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi të dhënë që me forma antiligjore, të rregullojë veten pa pyetur për pasojat që bien mbi të tjerët. Kjo do të thotë që përgjegjshmëria sociale e individit shqiptar nuk shkon më shumë se te vetja dhe te familja.

Në këtë kontekst, kjo është edhe arsyeja që nisma në fjalë duhet parë nën një këndvështrim sipas të cilit respektimit të detyrimeve nga çdo individ, kthehet në një të mirë sociale për të gjithë. Nëse shqiptarët do të respektonin në shumicë dërrmuese rregullat e lëvizjes me viza në SHBA, heqja e tyre do të ishte normale.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit