-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BIRN: Rama sulmon median rumune, i del në mbrojtje Florian Coldea-s

Kryesoret

Një prej këshilltarëve të jashtëm të kryeministrit Edi Rama, ish-zëvendësdrejtori i parë i shërbimit sekret të Rumanisë, Florian Coldea, po hetohet nga Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit në Rumani për korrupsion.

Coldea  është marrë nën hetim në 24 maj dhe bazuar në njoftimin prokurorisë rumune akuzohet se bashkë me 2 persona të tjerë “i kanë kërkuar një biznesmeni (kallëzuesit) shumën prej 700,000 euro plus TVSH-në, në këmbim të së cilës i kanë lënë të besojë se ai do të kishte ndikim tek disa magjistratë në disa gjykata dhe se do t’i bënte ata të jepnin vendime të favorshme për kallëzuesin në një çështje penale në të cilën ai po gjykohej” (Njoftimi për shtyp).

Prokuroria në Rumani nuk e identifikon Coldean, por mediat atje e kanë identifikuar atë si një nga të akuzuarit. Ndaj Coldeas u morë masë për ndalimin e largimit nga Rumania, ndërsa sipas prokurorisë nga 700 mijë dollarët e kërkuar, vetëm 100 mijë ishin transferuar.

Por e pyetur nga BIRN Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë shqiptare e mori në mbrojtje Coldean dhe sulmoi kallëzuesin. Sipas MIA-s, kallëzuesi është pronar i një televizioni i cili është dënuar për korrupsion. “Ai është një i dënuar për korrupsion në Rumani dhe aktualisht ka një tjetër proces të hapur po për korrupsion”, thuhet në përgjigjen e MIA.

Në përgjigje nuk sqarohet kur Coldea filloi të punonte për kryeministrin Rama dhe as nëse ai vijon ta ketë këtë pozicion, por ai lavdërohet se “ka dhënë një ndihmë të çmuar me këshillat e tij për forcimin e institucioneve të sigurisë”.

Sipas një dokumenti të publikuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, Coldea ishte këshilltarë i kryeministrit Edi Rama në vitin 2023. Berisha, i cili ndodhet me masë arresti shtëpiak, akuzoi Ramën për lidhje të dyshimta me Coldean dhe e cilësoi ata “McGonigal-i rumun”, duke iu referuar rastit të ish-agjentit të FBI-së që akuzohet se mori para nga qeveria shqiptare e Ramës, për të lobuar kundër opozitës.

Berisha po ashtu përsëriti akuzat e mediave Rumune se Coldea kishte lidhje me klane mafioze meksikane. “Sot shtypi rumun i tëri zien më Edi Ramën e Sinalon. A do të pranojmë më tutje këtë kryeministër”, tha ai në një nga daljet para një grupi mbështetësish.

Ndër të tjera mediat në Rumani kanë publikuar edhe foto mes Coldeas dhe Dorian Duçkës, një tjetër këshilltar i kryeministrit Rama. Duçka, ish-zëvendësministër i qeverisë shqiptare, u përmend edhe në hetimin e FBI në çështjen ndaj ish-agjentit Charles McGonigal, i cili u dënua me 2 vjet burg se mori 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve informative shqiptare. Në Shqipëri kryeministri është akuzuar nga opozita se pagoi Mcgonigal për të sulmuar Partinë Demokratike dhe opozitën.

Në përgjigjen për BIRN, kryeministria i mohoi dhe i ironizoi akuzat për lidhjet e Coldea me kartelet të trafikut të narkotikëve. “Po ne jemi mësuar me këto estrada dhe s’kemi asnjë lloj shqetësimi për budallallëqet që lidhin rolin e zotit Coldea si këshilltar i jashtëm me telenovelën meksikane të kanalit të ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës që është derdhur së fundmi edhe në gotën mediatike rumune”, thuhet në reagim.

Ndërkohë sipas Agjencisë Kombëtare të Shtypit në Rumani Agerpress, kryeministri aktual Marcel Ciolacu, u shpreh i shqetësuar që Coldea pas punës në shërbimin e inteligjencës Rumune, kishte punuar si konsulent për të tretë. Kryeministri i Rumanisë, citohet të ketë premtuar ndryshime ligjore, për të ndaluar situata të ngjashme.

Nga ana e saj MIA nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse kjo përbënte shqetësim për sigurinë e vendit. Në përgjigje theksohet se Coldea kishte punuar si konsulent për disa qeveri dhe lavdërohet si një “faktor kyç për kalimin e SRI-së nga Sherbimi Sekret Komunist në një nga shërbimet më prestigjozë të inteligjencës në Europën Lindore dhe NATO”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit