Fermerët nga fshatrat e fushës së Korçës po mbajnë një protestë në Maliq, në juglindje të Shqipërisë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me situatën e tregut për prodhimet bujqësore. Ata kanë grumbulluar mjetet e tyre në rrugën hyrëse të fshatit Drithas në shenjë proteste.
Fermerët ankohen se përballen me mungesën e tregut për prodhimet e tyre. Shkaku, sipas tyre, është mungesa e subvencioneve, çka e bën prodhimin e tyre më të kushtueshëm dhe të pamundur për t’i konkurrur produktet e importuara.
Ata gjithashtu bëjnë të ditur se stoku i prodhimeve si qepa, patate, misër dhe gruri është akumuluar pa mundur të shitet në treg.