Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso deklaroi sot se janë grabitur 22.4 hektarë tokë në Vuno nga kryeministri Edi Rama. Sipas Kasos, Rama ka miratuar me dorën e tij dy ligje dhe ka ndryshuar 7 vendime për këtë pronë ndërkohë që theksoi se institucionet shtetërore nuk ka pasur guximin të shkonin në gjyq, për të kundërshtuar marrjen e mbi 200 mijë metrave katrorë tokë nga familja Koleka. Ai kërkoi që SPAK të hetojë.
“Të gjitha institucionet në qarkun Vlorë nuk kanë guxuar që të marrin pjesë në gjyq në mbrojtje të interesit shtetëror. I vetmi që ka marrë pjesë formalisht në gjykim, njëherë të vetme në dy seanca por më pas në dy seanca e ka lënë, ka qenë avokatura e shtetit që formalisht ka mbrojtur vendimin e agjencisë për familjen Koleka, të afërm të kryeministrit. Gjithë dokumentacioni i trashëgimtarëve bazohej në një vendim të marrë nga institucione të tjera që ishin ose në varësi të kryeministrit ose pushtetin vendor në varësi të kryeministrit.
E gjitha bazohej tek kryepleqësia e fshatit Vuno. Pretendimin për këtë sipërfaqe të madhe të familjes Koleka e ka suportuar korniza ligjore e kohës që u vinte përshtat, por e pa bazuar. Kryeministri përmes dy ligjeve dhe 7 vendimeve ndërton një infrastrukturë të tërë ligjore përmes qeverisë dhe fuqisë që ka që u vjen për shkak interesave të familjes Koleka për përfitimin e kësaj prone. Mes tyre ligji 2020 për regjistrimin e pronave që kanë qenë në përfundim të procesit të njohjes ose kompensimit.
Gjithashtu një sërë vendimesh të KM, janë shtatë Vendime të Këshillit të Ministrave të vitit 2020. Cfarë bënte ku kuadër ligjor që është ndërtuar për të marrë pronën? Lehtësonte procesin e trajtimit nga agjencia për këto prona, duke e bërë më të lehtë kthimin e pronës pa aktet e drejtpërdrejta që provonin lidhjen me pronën.
Së dyti, imponon detyrimin e ATP-së që të mos kishte mundësi ta rishikonte këtë vendim në funksion të rishikimit të vet, ta merrte si provë dhe ta trajtonte me të tjerat në dosjen e pretenduesve që të gjykonte vetë, por e kthente gjykatën dhe këtë vendim të favorshëm që ka marrë trashëgimtarët e familjes Koleka, që detyronte Kadastrën ta regjistronin këtë vendim për ta bërë efektive këtë të drejtë prone” tha ai.