Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me skandalin për transportimin e mbetjeve toksike me origjinë nga Shqipëria.
Tabaku falenderoi mediat investigative që ndoqën këtë skandal dhe zbuluan atë që mediat ndërkombëtare kishin bërë publike disa ditë më parë.
Ajo bëri thirrje për sqarime nga institucionet përgjegjëse duke përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Portin e Durrësit, Drejtorinë e Doganave dhe Policinë e Shtetit.
“Me destinacion final portin e Tajlandës, që ka burimin dhe origjinën nga Shqipëria, përgjegjësia bie sërish mbi të gjitha institucionet shqiptare, duke nisur nga Ministria e Mjedisit, tek Doganat dhe Drejtoria e Portit të Durrësit. A ka pasur raste të tjera ku Porti i Durrësit dhe institucionet shqiptare janë përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar? A ka pasur ngarkesa që kanë kaluar përmes Portit të Durrësit nga vende që janë ndoshta edhe në embargo?”, shprehet tabaku.
Ajo e përshkroi Portin e Durrësit si një “han pa porta,” duke theksuar se ky skandal ka ekspozuar thellësinë e problemit të korrupsionit në Shqipëri.