Një tërmet është regjistruar në Kosovë në orën 01:46. Drejtori i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës në Ministrinë e Ekonomisë, Shemsi Mustafa ka reaguar në rrjetin social ku ka dhënë edhe detaje në lidhje me tërmetin.
Mustafa shprehet se tërmeti 3.9 i shkallës Rihter dhe thellësi 5 km është ndjerë në zonën Prizren-Kosovë. Ai thotë se epiqendra e këtij tërmeti ishte (lokacioni 42.150; 20.570), 15 km në Jugperëndim të Prizrenit dhe 15 km në Veri-Lindje të Kukësit përkatësisht në fshatin Vërmicë.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndim të Kosovës. Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikoj qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës së ulët, njëherësh ky termet dëshmon për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, shkruan Mustafa.









