Dje në Bruksel u zhvillua takimi i radhës Kosovë-Serbi. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është shprehur i lumtur që Brukseli, me Prishtinën dhe Beogradin kanë përmbyllur me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Një ditë pas takimit të zhvilluar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviç, Lajçak i ka lëvduar ata për, siç është shprehur, bashkëpunim të mirë dhe bisedime konstruktive trelaterale.
Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.
Lajçak ka thënë, po ashtu, se me Bislimin dhe Petkoviqin kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit: “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.