Nuk është hera e parë që policia e shtetit kapet në gënjeshtra. Por pyetja: kush ideon, shkruan dhe shpërndan gënjeshtra në emër të Policisë së Shtetit duhet të marrë një përgjigje.
Seriali i dezinformimit, që kulmon me manipulime të turpshme në raste tragjike si ai i Klodian Rashës, shënoi mbrëmë episodin e radhës me nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.
Rasti i Klodian Rashës, që u vra nga policia, pas protestave solli dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Por, edhe pse autori është në burg nuk mund të thuhet se u bë drejtësi, sepse kurrë nuk u zbardh kush ideoi/publikoi deklaratat dezinformuese që tentuan të manipulonin ngjarjen?
Në deklaratën e sapo bërë publike, Agron Gjekmarkajt rrëfen përballjen me një grup policësh të cilët, pavarësisht identifikimit të tij si nënkryetar i Kuvendit, përdorën dhunë.
Çfarë ndodhi pasi Gjekmarkaj mbërriti në spital? Si gjithmonë, Policia lëshon një deklaratë dhe në vend se të qartësojë, tenton të manipulojë opinionin publik.
Në një vend normal, do të niste hetimi. Por kur policia zvarrit në mes ditës ish Presidentin si të ishte terrorist, manipulimi dhe reagimi si cuba duket gjëja më e vogël.
E vërteta është se policia vazhdon me gënjeshtra sepse jo vetëm nuk mban kush përgjegjësi, por ngrihen në përgjegjësi. Kujto rastin e drejtorit të përgjithshme të Policise që gënjeu publikisht për ngjarjen tragjike në Elbasan në prag të zgjedhjeve të 2021 dhe u gradua zëvendësministër.
Nuk behet me fjale për raste të izoluara, por për një model që ushqehet sa nga arroganca në rritje aq edhe nga mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë.
Nëse dhuna i ndodh nënkryetarit të Parlamentit, nesër mund te dhunohet kushdo. Edhe atij që sot mendon se është i paprekshëm.
Në vigjilje të Krishtlindjeve, Agron Gjekmarkaj thotë se shpreson për një Shqipëri më të bardhë dhe më të mirë.
Por, në një vend ku dhuna dhe gënjeshtra janë modus operandi, kjo mbetet një ëndërr që kërkon më shumë sesa shpresë, kërkon veprim dhe drejtësi.
Ndryshe prisni deklaratën e radhës nga policia e shtetit…