Ish kryeministri Sali Berisha në takimin me LDG për festat e fundvitit theksoi se Partia Demokratike do të mbajë çdo premtim dhe do të rikthejë ligjin në vend.
Berisha nënvizoi që data 11 maj që do të jetë fitorja dhe festat do ti festojnë me fitore në atë ditë.
“Ne kemi hartuar një paketë, e cila do plotësohet dhe askush të mos mendojë se premtimi ynë 200 euro si minimum jetik, se rroga minimale 500 euro, se rroga mesatare 1200 euro, se karta e konsumatorit për t’i rikthyer pensionistëve dhe rrogëulëtëve të gjithë TVSH-në që paguajnë në dyqane, askush të mos mendojë se këto janë vështirësisht të realizueshme.
Jo, u them unë këtu, këto premtime kanë rezervën mbrapa.
Pse kanë rezervën? Sepse duhet t’i realizojmë, nuk mund të ketë koment.
Ne do i vendosim ato tre muajt e parë. Po, po!
Dhe i siguroj se nuk do mbetet asnjë projekt pa u realizuar.
Por kthehemi tek vargu i poetit, qen që nga froni hanë ëndrrat e të rinjve tanë.
Ne do bëjmë gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet.
Nuk do ndërtojmë rrugën me çmimin e 10fishtë që ndërton Kroacia.
Nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmimin e 10fishtë që ndërton BE.
Nuk do ndajmë kurrë 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Pra, çdo premtim i yni dhe të tjerat që do bëjmë, që i kemi në përpunim, për fermerët, për të rinjtë, do jenë realitet i padiskutueshëm.
Mbi të gjitha ne do rikthejmë ligjin në këtë vend.
Do rikthejmë sigurinë për qytetarin.
Do rikthejmë ecjen tonë drejt BE dhe begatimit të vazhdueshëm të shqiptarëve.
Uluni me çdo nënë, me çdo motër, me çdo vajzë, me çdo grua dhe shtroni pyetjet: çfarë ndodhi me ne këto vite të Luçiferit, se si ne mbetëm me pensione nga 160 mijë lekë, në një kohë kur malazezët fluturuan nga 150 mijë lekë në 450 mijë lekë, çfarë ndodhi që ne mbetëm me rrogën mizerabël minimale në një kohë kur rumunët arritën nga një rrogë 160 euro në një rrogë minimale 700 euro.”, tha Berisha.