Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” ambasadorin italian Fabrizio Bucci. Ambasadori italian ka mbyllur misionin e tij 5-vjeçar në Shqipëri.
Veliaj e falenderoi ambasadorin për angazhimin e tij në Shqipëri dhe i uroj suksese në misionine tij të ri në Gjermani.
“Sot i themi mirupafshim një shoku dhe një vëllai, ambasadorit italian në Shqipëri. Të jam shumë mirënjohës dhe të falenderoj shumë për integritetin, për dinjitetin, për energjinë pozitive dhe për faktn se përtej burokracisë, ke qenë një mik i vërtetë i Tiranës. Ju konsideroj vërtet një misionar, i cili ka kontribuar pafund që Shqipëria dhe Italia të jenë më afër se kurrë. Italia dhe Shqipëria gjithmonë kanë pasur një dashuri reciproke, por unë besoj se njerëzit janë si urat edhe shërbejnë që t’i lidhin vendet. Dua që ky çelës të jetë një simbol i një zemre të hapur, i një dere të hapur, i një mendje të hapur dhe i një dashurie të madhe për atë që i ka shërbyer këtij raporti special mes Shqipërisë dhe Italisë”, tha Veliaj.
Ndërsa ambasadori italian u shpreh mirënjohës për mikëpritjen dhe miqësinë e veçantë që gjeti tek populli shqiptar.
“Mes dy vendeve tona ka pasur gjithmonë një lidhje shumë të veçantë, por duhet të them se ky pesëvjeçar ka shënjuar një rritje të mëtejshme të këtyre marrëdhënieve. Italia e Shqipëria, në shumë aspekte, tashmë janë një vend i vetëm, nisur nga fakti që në maj, “Giro d’Italia” i cili është eventi sportiv më i ndjekur në botë, fillon në Shqipëri, duke treguar edhe një herë se dy vendet tona janë të bashkuar dhe se janë një vend i vetëm. U jap një përshëndetje dhe një përqafim të ngrohtë të gjithë shqiptarëve, me të cilët kam ndarë këtë miqësi të mrekullueshme. Ky vend kaq i bukur dhe i veçantë, ku ti ecën në rrugë, je në një lokal dhe njerëzit ndalojnë, të përshëndesin, një vend ku ti bisedon me të gjithë! Të gjithë shqiptarët më kanë ofruar realisht përzemërsinë e tyre të madhe, të cilën jam përpjekur t’ua shpërblej. Në Shqipëri kam kuptuar se përzemërsia dhe dashuria janë çelësi që hap të gjitha dyert. Shqipëria tashmë është edhe shtëpia ime, një ditë do të kthehem”, u shpreh Bucci.