Në mesin e pikave të nxehta mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, asaj që duhet kushtuar më së shumti vëmendje është fakti se si kompanitë e mëdha amerikane të internetit mund ose nuk mund të jenë nën shënjestrën e BE-së.
Në këtë çështje, çelësi është Akti i Shërbimeve Digjitale i Brukselit (DSA). Ky akt hyri në fuqi më 2022 dhe qëllimi i tij është të merret me çështjet si, përmbajtja e jashtëligjshme, dezinformimi i mundshëm dhe transparenca në reklamimin online.
Komisioni Evropian e ka hapur tashmë procedura kundër X-it të Elon Muskut, Meta-s së Mark Zuckerbergut dhe platformës së njohur kineze, TikTok. Këto raste mund të përfundojnë më gjoba astronomike. E kjo me gjasë do ta nxiste SHBA-në të përgjigjet.
Për çfarë mospajtimesh bëhet fjalë?
BE-ja hapi rast kundër Meta-s, kompanisë pronare të Facebook-ut dhe Instagram-it, në verën e vitit 2024, duke i hetuar politikat e reklamimit në këtë kompani, si dhe atë që njihet si “kërcënimi i sozisë” – i cili është një sistem i reklamave të rrejshme dhe uebsajteve të rrejshme që klonojnë gazetat e mirëfillta me qëllim për të përhapur dezinformata.
Komisioni Evropian veproi mbi dyshimet se sistemi i reklamimit që përdorte Meta kishte lejuar përhapjen e lajmeve të rreme me origjinë nga Rusia.
Së fundmi, Meta gjithashtu njoftoi se e ka hequr programin e saj të verifikimit të fakteve për t’u përqendruar në një model të quajtur “community notes”, i cili është përdorur nga platforma X. Deri më tani, kjo vlen vetëm për tregun amerikan, por nëse zgjerohet në BE, Brukseli mund të nisë hetime shtesë.
Ndryshimi tjetër që Meta bëri së fundmi ishte modifikimi i politikave të saj mbi gjuhën e urrejtjes, duke hequr veçanërisht rregullat që ndalojnë fyerjet mbi pamjen e një individi bazuar në racën, etninë ose orientimin e tij seksual. Ky ndryshim zbatohet edhe në BE, dhe Komisioni Evropian tani po e shqyrton vlerësimin e rrezikut që Meta ia dorëzoi BE-së kur e bëri këtë ndryshim.
A mund të tentojë Brukseli ta ndalojë TikTok-un?
Po, mundet, por me gjashtë nuk do ta bëjë.
Siç u shpreh rishtazi një zëdhënës i Komisionit Evropian: “Nuk është synimi ynë ta pezullojmë asnjë platformë në BE”.
Megjithatë, kjo do të ishte e mundur sipas DSA-së si masë e fundit, nëse Brukseli do të besonte se ekziston ndonjë kërcënim serioz publik.
Shtetet individuale të BE-së gjithashtu mund të pezullojnë aplikacione dhe shërbime në territorin e tyre, me kusht që të kenë legjislacion të nevojshëm kombëtar për ta bërë këtë. Por, kjo mbetet e pamundur, pasi do të shkaktonte shumë tensione, veçanërisht me kompanitë amerikane, duke pasur parasysh se rregullatorët evropianë zakonisht parapëlqejnë gjoba në vend të ndalimeve.
Kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance, e themeluar nga sipërmarrës kinezë dhe me operacione të konsiderueshme në Kinë, është në llupën e Komisionit Evropian pas zgjedhjeve presidenciale rumune në nëntor të vitit 2024.
Brukseli ka hapur një hetim për mënyrën se si kompania menaxhon reklamat politike dhe algoritmet që qëndrojnë pas motorit të saj të rekomandimeve.
Ky hetim erdhi pasi një numër i madh llogarish të rrejshme filluan të postojnë përmbajtje në mbështetje të kandidatit presidencial të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, i cili shënoi fitore befasuese në rundin e parë të votimit.
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë më pas anuloi rezultatin e zgjedhjeve, duke pretenduar se një fushatë në TikTok – i cili mendohet të ketë prejardhjen në Rusi – ndikoi në votim.
Rregullatorët e Brukselit i kanë kërkuar TikTok-ut të ruajë dhe të ndajë të gjitha të dhënat dhe dokumentet që lidhen me fushatën presidenciale.(lexo KËTU për më shumë)