Gjykata e Posaçme filloi gjyqin në themel për aferën e inceneratorit të Tiranës. Gjykata pranoi kërkesën e tetë të pandehurve për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Lefter Koka, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj do të gjykohen me procedurë të përshpejtuar. Për të pandehurit e tjerë Etleva Kondi, Alba Thoma, Pellumb Abeshi dhe Silena Tola dosja do të veçohet dhe do t’i nënshtrohet gjykimit të zakonshëm.
12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, lidhur me procedurën e dhënies së koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
SPAK ka konstatuar një sërë parregullsish në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për përgatitjen e të gjitha dokumenteve me qëllim fitimin e koncesionit për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.