Kandidatja e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Dhurata Çupi, ka vijuar takimet me qytetarët në njësinë 1 dhe 9 në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Çupi ka shprehur se qytetarët shqiptarë duhet që të votojnë Partinë Demokratike me 11 maj për familjen, pronën dhe shtetin ligjor.
Ajo ka nënvizuar se duhet që të votojnë Partinë Demokratike për të rritur pagat, pensionet si dhe për të vendosur minimumin jetik 200 euro. Gjithashtu ka hedhur akuza ndaj qeverisë për dështimin në realizimin e premtimeve të vitit 2013.
“PS ende nuk ka zbatuar programin e 2013, u tha për legalizime falas dhe objekte të tëra në Tiranë janë të palegalizuara, ndërsa ata që e kanë përfituar janë detyruar të paguajnë ryshfet. Ka pafund qytetarë që presin prej vitesh të marrën certifikatën e legalizimit.
Edi Rama premton pasaportën e BE kur ende nuk ka drita dhe ujë. Këtij pushteti duhet t’i themi jo.
Ne kemi një program, programin e emergjencës, janë 721 mijë pensionistë, nga të cilët 512 mijë e marrin pensionin më pak se 200 mijë lekë. Imagjinoni çfarë varfërie. Ne kemi një ofertë për pensione të rritura, për vendosjen e minimumit jetik që refuzohet nga qeveria. Infrastruktura është e pazhvilluar dhe mjerane”, ka thënë deputetja Çupi.









