Gjenerali amerikan Christopher Cavoli ka raportuar para Senatit amerikan për gjendjen e sigurisë në rajonet ku janë të dislokuara forcat amerikane, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Cavoli përmendi Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën si dy vende që vazhdojnë të përballen me sfida të sigurisë dhe stabilitetit.
Ai theksoi praninë aktuale të trupave të KFOR-it në Kosovë, duke nënvizuar se nga gjithsej rreth 4,300 trupa të dislokuara, rreth 600 janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“KFOR-i mbetet në terren dhe situata në Kosovë mbikëqyret nga afër. SHBA kontribuon me më pak se 600 ushtarë, ndërsa një pjesë e madhe e barrës mbahet nga aleatët tanë, si Italia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Hungaria”, deklaroi Cavoli.
Sipas Cavolit, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forca rezervë në Kosovë për të përballuar tensionet e rritura gjatë vitit të fundit dhe tashmë janë në proces të zgjerimit të pranisë së përhershme të trupave për të lehtësuar ngarkesën mbi rezervistët.
“Ne po zgjerojmë numrin e forcave të përhershme në Kosovë për të lehtësuar barrën që e mbajnë aleatët me forca rezervë. Dhe besoj se do të arrijmë marrëveshje për këtë shumë shpejt dhe do t’i kemi ato resurse”.