Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e prokurorisë së Apelit, që kërkonte ashpërsimin e veprës penale për vrasësit e 22-vjeçarit, Marvi Mihali.
Me këtë vendim, lihet në fuqi dënimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, që në Qershor të 2020 dënoi me 4 të akuzuarit, për veprën penale të “vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim”.
Me 19 vite u dënua Dejvi Bitrajn, personi që qëlloi me thikë për vdekje të riun Mihali, si dhe nga 12 vite burg u dha për Eugen Bitrajn si dhe për Marsel e Kridens Allën.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor familjarët e viktimës dhe prokuroria kërkuan që të akuzuarit të dënohen për veprën penale të “vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”, për të cilën kodi penal parashikon burgim deri në 25 vite.
Marvi Mihali 22 vjeç u vra në Korrik të 2017 në afërsi të stadiumit Selman Stërmasi në kryqytet. Shkak u bë konflikti për një karikues telefoni, ku 4 të akuzuarit me në krye Dejvi Bitrajn e qëlluan atë me thikë të riun duke e lënë të vdekur.