Moti i keq ka goditur Italinë dhe ka sjellë edhe viktima. Reshjet e dendura të shiut dhe të borës kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut dhe përmbytje të mëdha.
Dy persona kanë humbur jetën pasi makina e tyre u gëllit nga një gropë e madhe e shkaktuar nga uji. Leone Nardon, 65 vjeç dhe djali i tij Francesco, 34 vjeç, të cilët po udhëtonin për të ofruar ndihmën e tyre si vullnetarë, humbën jetën në zonën e Viçenzës.
Ndërsa një ditë më parë një 92-vjeçar humbi jetën pasi u mbyt në shtëpinë e tij afër Torinos, për shkak të përmbytjes nga lumi lokal. Ndërkohë më shumë se 700 zjarrfikës janë angazhuar për të ndihmuar në pastrimin e rrugëve dhe në shpëtimin e qytetarëve të prekur.