Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, njoftoi se në muajin qershor do të hapen të gjithë kapitujt e negociatave me Shqipërinë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë një konference të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane në Bruksel, Kos u shpreh se hapja e kapitujve do të jetë një etapë kyçe, ndërsa më pas do të nisë procesi i mbylljes së tyre, që përbën fazën përfundimtare të integrimit.
“Ne do të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë në qershor, dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e nevojshëm për negociatat,” deklaroi Komisionerja.
Ajo shtoi se gjatë mandatit të saj do të ketë edhe anëtarësime të reja nga Ballkani Perëndimor dhe se procesi do të bazohen në merita. “Me kryeministrin Edi Rama kemi një marrëveshje për të avancuar këtë proces dhe për ta lidhur Shqipërinë më fort me Europën,” tha Kos.