Në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme kundër Serbisë, sulmuesi i njohur Bekim Balaj rikthehet me kujtime nga përballja e paharrueshme në Beograd dhe tregon emocionet e tij për sfidën që po vjen. Ai thekson rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe jep mesazhin e tij për qetësi dhe fokus për skuadrën kuqezi.
“Është një ndeshje që gdhendet e mbet në memorie, mund të them që edhe në atë ndeshje për rrethanat që ishin djemtë bënë maksimumin e treguan që edhe të pakët në numër nuk na mungoi asgjë për të ruajtur simbolet tona. Ndoshta në këtë moment jemi në një situatë ndryshe por është madhore për ne sepse Serbinë mund ta shohim si rivalin tonë direkt për kualifikim. Një ëndërr që mund ta bëjmë realitet dhe nisur nga kjo ndeshje në Tiranë, mendoj që djemtë duhët të ruajnë qetësinë, të jenë gjak ftohtë dhe të mos përfshihën shumë në atmosferën e shkallëve të stadiumit. Sepse ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë, le të bëjnë maksimumin dhe të arrijmë të marrim një fitore që do na vlente shumë,” tha Balaj.
Ai ishte pjesë e një takimi motivues me të rinjtë në Shkodër, në kuadër të edicionit “Ta tham n’Shkodër”, ku u shpreh edhe me një mesazh frymëzues për brezin e ri:
“Mesazhi si gjithmonë është që të ndjekin ëndrrat e tyre. Të mos i vendosin limite vetes dhe ato ëndrra bëhën edhe më të mëdha,” tha sulmuesi.
Ky takim me Bekim Balajn është një shembull se si ëndrrat e thjeshta dhe puna e palodhur mund të nisë rrugën drejt suksesit, duke frymëzuar të rinjtë në qytete si Shkodra.









