Trajneri Silvinjo ka vendosur që Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti të mos jenë pjesë e skuadrës aktive për ndeshjen e rëndësishme kundër Serbisë. Këta lojtarë do të qëndrojnë në tribunë, pasi sipas rregullave të UEFA-s, në listën zyrtare mund të jenë vetëm 23 futbollistë.
Mungesa më e papritur është ajo e Medon Berishës, mesfushorit që luan në Seria A dhe që kishte qenë aktiv në ndeshjet e mëparshme ndaj Anglisë dhe Andorrës. Edhe Pajaziti, që mori minuta në dy takimet e para kualifikuese, nuk do të jetë në fushë këtë herë.
Dajsinani, i cili debutoi si risi nga trajneri Silvinjo, dhe Bajrami, që nuk ka luajtur ende me trajnerin brazilian, po ashtu do të qëndrojnë jashtë.
Ndeshja Shqipëri–Serbi zhvillohet sot në orën 20:45 dhe është një sfidë kyçe për kualifikimin në Botërorin 2026.