Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.
Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.
Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.
“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash.
Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai.