Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka uruar klubet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Europës këtë sezon. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur mbështetje për Egnatian që do të nisë rrugëtimin e saj në kualifikueset e UEFA Champions League, si dhe për Partizanin, Vllazninë dhe Dinamon City në UEFA Conference League.
Duka theksoi rëndësinë e një përfaqësimi dinjitoz për futbollin shqiptar, jo vetëm për të rritur nivelin e kampionatit, por edhe për mundësitë financiare që ofron pjesëmarrja në kompeticionet europiane. Ai ka inkurajuar klubet që të bëjnë maksimumin për të kaluar sa më shumë ture dhe për të siguruar një vend në fazën e grupeve.
“Përfaqësimi ynë në Europë është një mundësi për të treguar nivelin e futbollit shqiptar dhe për të rritur mundësitë financiare për klubet”, ka thënë Duka.









