Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike përgjatë pjesës më të madhe të ditës së hënë, me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të larta që do të prekin deri në 38°C në disa zona të territorit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, pas mesditës do të ketë kalime vranësirash të lehta, kryesisht në zonat malore lindore të vendit, por pa prani reshjesh. Megjithatë, mbizotërojnë kthjellimet dhe lagështira e lartë në ajër, veçanërisht gjatë mbrëmjes dhe natës.
Temperaturat minimale do të shënojnë rritje, duke filluar nga 15°C në zonat më të freskëta, ndërsa ato maksimale do të pësojnë një rënie të lehtë, duke u kufizuar deri në 38°C në qarqe të caktuara.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë gjatë gjithë ditës, me shpejtësi që herë pas here mund të kalojë mbi 45 km/h nga drejtimi jugor. Kjo do të ndikojë në krijimin e dallgëzimit të moderuar në brigjet detare, me intensitet deri në 3 ballë.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, si dhe të tregojnë kujdes në zonat bregdetare për shkak të erës së fortë.









