Partia Demokratike e Vlorës në një deklaratë për mediat ka shprehur shqetësimin ndaj ndërhyrjeve të përsëritura të kryeministrit Rama në çështje administrative të bashkisë.
Në deklaratë, Partia Demokratike e Vlorës kërkon që të gjitha palët e përfshira të reagojnë me urgjencë për të mbrojtur integritetin e pushtetit vendor dhe të sigurojnë që çdo akt i qeverisjes të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Ndërhyrjet e tilla cënojnë ecurinë e demokracisë dhe transparencën e qeverisjes vendore. Partia Demokratike e Vlorës mbetet e angazhuar për të mbrojtur parimet e qeverisjes me përgjegjshmëri, integritet dhe respekt për vullnetin e qytetarëve.
Ky nuk është mekanizmi për të përmirësuar jetën e këtij qyteti, dhe kjo nuk bëhet aspak për këtë qëllim. E gjithë kjo është një shfaqje, një karshillek i një njeriu në marrëzitë e tij.
Të nderuar qytetarë, ky shfaqje e pista, në kurriz të Vlorës, është e gjitha një luftë e brendshme brenda Partisë-Shtet të Partisë Socialiste dhe sektit Rama, i cili, në kuadrin e mbrojtjes së një klani brenda sektit të tij, godet klanin tjetër, ashtu siç po bën me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës.
Administrata kurrsesi nuk duhet të jetë placka e Edi Ramës, por ajo duhet të jetë shërbyese e çdo qytetari vlonjat.
Zullumet e sektit Rama, administratës së tij të kalbur në qendër dhe në nivel vendor, po kolapsojnë çdo ditë e më shumë normalitetin e qytetit të Vlorës.
Denojmë me forcë marrëzitë e një të marri, i cili thyen çdo ligj, çdo normë e moral. Gjuha e tij fyese ndaj bizneseve, duke i quajtur “zaptues”, tregon batakun mjeran në të cilin ka rënë ky njeri, ku zaptuesi i vetëm sot mban emrin e tij, Edi Rama.
Karshilleku dhe rrugaceria e tij në Vlorë, dëshmojnë një marketing mjeran politik.”, shprehet Partia Demokratike Vlorë.









