Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në kufirin Poloni–Bjellorusi, deklaroi se Vladimir Putini mbetet një kërcënim i pandryshuar për Europën. “Ai është një grabitqar. Duhet të ruajmë ndjenjën e urgjencës,” tha ajo.
Von der Leyen ndodhet në një tur diplomatik në shtatë vende të vijës së parë me Rusinë dhe Bjellorusinë për të riafirmuar mbështetjen e BE-së ndaj sigurisë së rajonit përballë agresionit rus.
E shoqëruar nga kryeministri polak Donald Tusk, ajo vizitoi një segment të gardhit elektrik në Ozierany Male. Tusk e cilësoi kufirin si simbolik për lirinë dhe kërkoi më shumë mbështetje financiare nga BE për mbrojtjen e tij.
Pavarësisht shqetësimeve për praninë e trupave bjelloruse, konferenca për shtyp nuk u anulua. “Jemi këtu për të treguar vendosmërinë europiane,” u shpreh Tusk.
Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu një plan të ri investimi në mbrojtjen europiane, që pritet të diskutohet në tetor në Këshillin Europian.