Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në seminarin vjetor të Bashkëpunimit dhe Planifikimit të organizuar nga Qendra për Studime Evropiane “Wilfried Martens”, think tank i Partisë Popullore Europiane.
Takimi i këtij viti u mbajt në Durrës dhe mblodhi përfaqësues të PPE-së, ekspertë dhe drejtues të fondacioneve partnere nga disa vende europiane. Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri i Sllovakisë dhe presidenti i “Martens Centre”, Mikuláš Dzurinda.
Gjatë diskutimeve, Berisha paraqiti një panoramë të situatës politike dhe institucionale në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për funksionimin e shtetit dhe zhvillimet aktuale në vend.
Berisha foli edhe për aktivitetin e opozitës në muajt e fundit, përfshirë protestat dhe nismat parlamentare, të cilat sipas tij kanë pasur synim denoncimin e disa çështjeve të rëndësishme në vend, përfshirë skandale që lidhen me administratën publike dhe proceset zgjedhore.
Ai ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të institucioneve, përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe ndikimin e krimit të organizuar në politikë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe hetime të pavarura për proceset zgjedhore në Shqipëri.









