Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, ka akuzuar qeverinë për mungesë përgjegjësie në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Në një deklaratë publike, ajo u ndal te problematikat e evidentuara edhe në Raportin e Progresit 2025 të Komisionit Europian, duke theksuar nevojën për kontroll më të fortë dhe standarde më të larta në tregun ushqimor.
Deklarata e plotë:
“Qeveria shqiptare po dështon rëndë në një nga detyrimet më bazike të saj, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Raporti i Progresit 2025 i Komisionit Evropian është shumë i qartë, Shqipëria ka mangësi serioze në kontrollin e ndotësve ushqimorë, në analizat laboratorike dhe në garantimin real të sigurisë ushqimore.
Sot, në tregun shqiptar qarkullojnë produkte ushqimore pa analiza të detyrueshme laboratorike, pa certifikata të verifikueshme dhe pa asnjë garanci reale për konsumatorin.
Pesticide, metale të rënda, mikotoksina dhe ndotës të tjerë të rrezikshëm po hyjnë në tryezat e familjeve shqiptare, me bekimin e heshtur të qeverisë dhe paaftësinë flagrante të institucioneve përgjegjëse.
Autoriteti i Lartë i ushqimit është shndërruar në një institucion formal, që reagon vetëm pas skandaleve, ndërsa kontrolli real mungon. Importet futen pa verifikim serioz lokal, produktet vendase shiten pa analiza, dhe përgjegjësi politike nuk mban askush.
Mbrojtja e shëndetit publik nga produktet e kontaminuara është prioritet kombëtar.
Në kushtet kur tregjet, sidomos europiane, po mbyllen për produktet shqiptare pikërisht për shkak të mungesës së kontrollit dhe të abuzimeve me kimikate, duke kompromentuar rëndë të ardhmen ekonomike të bujqësisë shqiptare, e cila po goditet jo vetëm për shkak të nënfinancimit, por edhe për shkak se për të tretin vit rradhazi, Bashkimi Europian do të ndërpresë fondet IPARD, 112 milion euro, për shkak të abuzimeve dhe mungesës së hetimit të këtij skandali nga drejtësia shqiptare.
Në kushtet kur çdo ditë vonohen masat efektive dhe kur cdo ditë që kalon, është një ditë ku shëndeti i qytetarëve, sidomos i fëmijëve, dëmtohet nga produktet e kontaminuara dhe përballë kësaj situate kriminale, Partia e Lirisë ka propozuar një projektligj të posaçëm, që vendos detyrimin absolut dhe të verifikueshëm si dhe synon të vendosë fundin e kaosit dhe papërgjegjshmërisë shtetërore, si dhe duke mbajtur njëherazi edhe fjalën e dhënë, se siguria ushqimore nuk është luks, por një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe sidomos një detyrim kushtetues i shtetit:
-Kryerjen e analizave laboratorike për çdo produkt ushqimor që del në treg
-Certifikim vetëm nga laboratorë të akredituar sipas standardeve të BE-së
-Ndalimin e menjëhershëm të tregtimit të produkteve pa certifikatë analitike.
-Sanksione të rënda financiare, ndalim aktiviteti dhe heqje licence për shkelësit.
Ky projektligj harmonizohet plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe adreson drejtpërdrejt kritikat e Raportit të Progresit 2025, të cilat qeveria ka zgjedhur t’i injorojë.
Nuk ka më justifikime dhe nuk ka më përjashtime selektive.
Partia e Lirisë është e qartë, shëndeti i qytetarëve nuk është as propagandë dhe as statistikë për raporte zyrtare, por është mbi çdo interes politik apo ekonomik.
Qeveria duhet të zgjedhë, ose të zbatojë standardet evropiane për sigurinë ushqimore, ose të pranojë publikisht se po mbron interesa klienteliste në kurriz të jetës së shqiptarëve.
Ne nuk do të heshtim.
Siguria ushqimore është e drejtë themelore, jo privilegj.”
/5pyetjet.al









