Seanca e sotme parlamentare u shoqërua me një moment të pazakontë për Partinë Socialiste, e cila nuk arriti të sigurojë 71 votat e nevojshme për miratimin e disa projektvendimeve. Nga leximi i emrave të deputetëve të pranishëm, rezultoi se vetëm 67 socialistë ishin në sallë, ndërsa 18 të tjerë mungonin, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe disa ministra.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u përpoq të sqaronte situatën duke argumentuar se votimi u ndërpre për shkak të një gabimi procedurial dhe jo mungese numrash. Ai theksoi se një nga projektligjet kishte mbetur i pa diskutuar dhe gabimisht u konsiderua si i tërhequr nga deputetët.
Debati u tensionua kur opozita kërkoi shpjegime për ndërprerjen e votimit, duke theksuar se mazhoranca nuk kishte votat e nevojshme. Peleshi theksoi se procesi do të vazhdojë sapo të përfundojnë diskutimet mbi projektligjet, duke e cilësuar situatën si një “gabim njerëzor” dhe jo një ndërprerje strategjike nga mazhoranca.
Seanca u ndërpre për disa minuta, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi pushim për të sqaruar situatën brenda grupit të tij.
Ky incident vjen në një moment kur mazhoranca duket e ndarë për pjesëmarrjen në votime, duke reflektuar sfidat për mbajtjen e kohezionit në Parlament.









