Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar sërish përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, duke komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë dhe debatet politike që po i shoqërojnë ato.
Ai ka theksuar se, ndonëse mbetet i palëkundur në bindjet e tij si socialist, nuk pajtohet me zhvillimet që, sipas tij, po marrin një drejtim të rrezikshëm dhe jashtë kornizës së demokracisë.
“Shumë mesazhe dhe shumë komente edhe dje pas statusit për qëndrimet e mia. Një gjë duhet t’jua them: unë kam qenë socialist, jam socialist dhe mbetem socialist. Kjo nuk do të thotë që kam mbyllur sytë, kam mbyllur gojën dhe thjesht kam ngritur dorën. Jo, nuk e bëj dot këtë. Kështu që po kaloj te e dyta gjë. Reagim kundër agjendave, agjendave primitive dhe agjendave të rrezikshme. Po mundohem që sot, nesër e në vijim t’ju kthej përgjigje një nga një. E para është agjenda politike.
Agjenda politike është evidente, shumë e qartë dhe nuk ka lidhje me politikat, por është agjendë e mirëfilltë politike. Jo vetëm për shkak të asaj që tashmë është e dukshme, prezencën e partive politike në protestë, madje prezencën e partive politike në krye të protestës. Kandidatët për deputet të partive të vogla, të cilët as s’i njohu kush në fushatën elektorale, as s’i dëgjoi kush, as s’i votoi kush në fund fare janë mu aty dhe tani flasin si organizator të protestës.”









