-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ngërçi për Presidentin/ Kurti: Opozita s’është e interesuar që të zhbllokojë procesin

Kryesoret

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një herë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se oferta që ai ka bërë dy partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhjet Demokratike të Kosovës (LDK), në këmbim të kandidatëve të presidentit të ri është “shumë gjeneroze”. Por, sipas tij, këto parti nuk janë të interesuara që të zhbllokojnë procesin.

Një ditë më herët, LVV-ja dhe LDK-ja, pas një takimi të bërë, nuk arritën një vendim për çështjen e presidentit, teksa deputetët kanë kohë deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Kurti i ofroit LDK-së postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera. Ndërkaq, më vonë gjatë 20 prillit, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se Kurti, përmes një komunikimi në WhatsApp kishte postimin e kryetarit të Kuvendit, por që PDK-ja ishte në listën e LVV-së. Partia e Hamzës tha se ka përmbyllur kontributin e saj për çështjen e presidentit.

Kurti tha për mediat të martën se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuajse është viti 2025, kur, e mbani mend me ato seancën kur nuk votohej Albulena Haxhiu. Ka kaluar viti 2025, është viti 2026”, tha ai.

Duke folur për ofertën që ia bëri PDK-së, që Hamza e cilësoi si joserioze, Kurti tha se në atë rast, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do t’ia lironte vendin Bedri Hamzës, duke e cilësuar si “koncesion të madh për ne”, pasi theksoi se katër veta në LVV kanë “më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

“Përveç meje, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu edhe Hekuran Murati kanë më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

Ndërkaq, duke iu referuar LDK-së, Kurti tha se dhjetë persona në LVV kanë më shumë vota sesa kreu i kësaj partie opozitare, Lumir Abdixhiku.

“Unë nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe, jo vetëm kaq, ose ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha Kurti.

Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 20 prill, tha për mediat se më nuk do të takohet me të.

“U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, tha ai.

 

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Edhe përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit