Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi dhe deputetja Jorida Tabaku, përmes një postimi në facebook ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane Senatorin Giuliomaria Terzi di Sant’Agata në Itali, duke e konsideruar një mik i Shqipërisë dhe mbështetësi i fortë i saj në rrugën europiane.
Postimi i Bardhit
Senat, Itali 🇦🇱🇮🇹 Me Kryetarin e Komisionit për Çeshtjet Europiane, Senatorin Giuliomaria Terzi di Sant’Agata, që është një mik i Shqipërisë dhe mbështetës i fortë i saj në rrugën europiane.
E njohëm me zhvillimet në Shqipëri dhe i shprehëm qëndrimin e pa lëkundur mbështetës për integrimin europian të Shqipërisë🇪🇺. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë proces jetik për vendin, mbi të gjitha duke qenë të vërtetë dhe duke mos fshehur problematikat që mbajnë peng të ardhmen e Shqipërisë.
Partia Demokratike, ndan qëndrimin, ashtu sikurse partneret ndërkombëtarë, se procesi i integrimit duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve europiane.
Fatkeqësisht, sot Shqipëria nuk e përmbush këtë. Mazhoranca, ka zhbërë shtyllat kryesore mbi te cilat funksionon nje shtet demokratik, duke cenuar zgjedhjet e lira e të ndershme, dhe duke u bërë mburojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit.









