Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim Sllobodan Radenkoviqin, për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan në maj të vitit 2023.
Përveç dënimit unik prej dy vjetësh, ndaj tij po ashtu u shqiptua një gjobë prej 15 mijë eurosh, raporton Betimi për Drejtësi – media e specializuar në raportime nga fusha e drejtësisë.
Dënimi u shqiptua të mërkurën, më 29 prill, pasi Radenkoviq arriti marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Radenkoviqi u dënua me burgim për veprën penale të sulm ndaj personit zyrtar, ndërkaq dënimi për veprën e pjesëmarrjes në turmë që kryen veprën penale të huliganizmit iu zëvendësua me gjobë.
Ai është në paraburgim që nga 14 janari i këtij viti dhe në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Aktakuza ndaj Radenkoviqit u ngrit nga Prokuroria Speciale më 16 prill. Ai akuzohet se më 29 maj 2023 në Zveçan, para objektit të komunës, në koordinim me persona të tjerë të dyshuar serbë nga Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale.
Sipas aktakuzës, përmes dhunës ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke përdorur mjete të forta, mjete të improvizuara shpërthyese, armë zjarri, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve pësuan lëndime të rënda nga armët e zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Aty thuhet po ashtu se i akuzuari, me të dyshuar të tjerë, përmes dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore.
Edhe në të kaluarën, për dhunën në Zveçan u dënuan persona pasi pranuan fajësinë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë arrestuar.
Çfarë ndodhi në Zveçan?
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Për dhunën në Zveçan, autoritetet në Kosovë e kanë fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.
NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./ REL









