Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se aleanca NATO duhet të marrë një karakter më të fortë evropian, duke theksuar se vendet e kontinentit duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Deklarata e tij erdhi pas njoftimit të Pentagonit për tërheqjen e rreth 5 mijë ushtarëve amerikanë nga Gjermania, nga një total prej afro 40 mijë trupash të stacionuara aktualisht në këtë vend.
“Ky zhvillim ishte i pritshëm. Fakti që trupat amerikane do të reduktoheshin në Evropë dhe në Gjermani ishte i parashikueshëm”, u shpreh Pistorius.
Ai theksoi se Evropa duhet të marrë vetë përgjegjësinë për sigurinë, ndërsa vlerësoi se Gjermania është në rrugën e duhur për forcimin e Forcave të saj të Armatosura dhe për rritjen e investimeve në armatim.
Nga ana tjetër, deputeti i CDU për politikën e jashtme, Jürgen Hardt, kritikoi vendimin amerikan, duke thënë se ai minon idenë e parandalimit të përbashkët dhe unitetit mes aleatëve të NATO-s në Evropë.
Sipas tij, trupat amerikane duhet të zëvendësohen nga forca evropiane, ndërsa sugjeroi se vendimi i Donald Trump është i motivuar nga arsye të brendshme politike dhe mund të dëmtojë vetë interesat e SHBA-së.









