Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, shprehu dhimbjen për tragjedinë e Durrësit dhe përdori rastin për të kritikuar qeverinë për shkeljet e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ai u shpreh se ngjarja e rëndë tregon sa shpejt mund të humbim jetën në vendin tonë, duke theksuar se Shqipëria po shkon drejt një regjim autoritar.
Ndërkohë, Blushi denoncoi ashpër trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ka qëndruar në paraburgim për mbi një vit, duke thënë se ky është një rast i shkeljes së drejtpërdrejtë të të drejtave të tij.
“Ngjarje tronditëse që na kujton të gjithëve se sa thjesht e shpejt mund të humbësh jetën në Shqipëri. Paralelisht me këtë ngjarje dua të denoncoj edhe faktin se si vendi ynë me shpejtësi po rrëshket në regjim autoritar, që flet e mburret për reformën në drejtësi nga mëngjesi në darkë, por është damkosur së fundmi me rezolutën e tetë si një vend autokratik, që nuk respekton të drejtat themelore të njeriut”, tha Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.









