Me firmë të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në Kuvend është depozituar paketa e amendamenteve të propozuara nga opozita, duke kundërshtuar ndryshimet njëanshme të Rregullores së Kuvendit dhe rezolutën për procesin e integrimit, të paraqitura nga Partia Socialiste dhe kryeparlamentari Niko Peleshi.
Opozita thekson se çdo ndryshim duhet të bëhet me konsensus dhe jo njëanshmërisht, për të mbrojtur funksionimin demokratik të Parlamentit dhe të drejtat e opozitës.
DOKUMENTI
Në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy iniciativa të njëanshme për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe nga Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi. Në parim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër ndryshimeve të njëanshme në Rregulloren e Kuvendit, e cila është akti që garanton bashkëjetesën demokratike ndërmjet palëve politike. Çdo ndryshim në Rregulloren e Kuvendit duhet të jetë produkt i një procesi diskutimesh gjithëpërfshirëse dhe të miratuara në mënyrë konsensuale, siç ka qenë tradita parlamentare nga viti 2004 e në vijim. Rikujtojmë, që në vitin 2013, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit ishin një prej tre kushteve që kërkoheshin, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimit Evopian, dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike edhe pse i kishte numrat nuk i miratoi këto ndryshime, pa pasur edhe konsensusin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër çdo lloj ndryshimi që synon të kufizojë hapësirat dhe të drejtat e opozitës në Parlament. Në fakt, një pjesë e ndryshimeve të propozuara synojnë ekzaktësisht kufizimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave, duke i shndërruar nga një kufizim faktik në një kufizim juridik.
Kështu, propozimet për reduktimin e kohës së diskutimeve nga 10 në 5 minuta, shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjeve që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian apo heqja e raportimit të drejtuesve të organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj në komisionet e përhershme parlamentare dhe në seancën plenare, janë përpjekje të qarta për të minuar funksionimin demokratik të Parlamenit, për të asgjësuar rolin e opozitës në Parlament dhe për ta shndërruar Parlamentin në një institucion monopartiak, sic në fakt janë aktualisht shumica e institucioneve në Shqipëri. Pushteti vetërregullues i Kuvendit nuk duhet të bëhet premisë që të drejtat e deputetëve të cenohen në atë masë që do të çonte drejtpërdrejt në cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese.
Mirëpo, gjatë diskutimeve në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjen e datës 11 Maj 2026, të gjithë anëtarët e tij, njohën faktin se sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, “në kushtet kur shumica parlamentare e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për miratimin e aktit, ajo duhet të dëshmojë vullnet për një kujdes të shtuar dhe frymë bashkëpunimi për të siguruar që pakica parlamentare të luajë një rol aktiv në procesin e shqyrtimit të projektaktit, duke ushtruar të drejtën e debatit për përmbajtjen dhe procedurën e tij, si dhe duke gëzuar mundësinë e propozimit të amendamenteve kur kjo shihet e arsyeshme, duke synuar që ndryshimet mundësisht të bëhen me vullnet të përbashkët dhe konsensual.”. Në përmbushje të këtij standardi kushtetues, opozita po përmbush rolin e saj, duke shpresuar se mazhoranca gjithashtu do të luaj një rol konstruktiv, me qëllimin final të hartimit të ndryshimeve konsensuale në Rregulloren e Kuvendit.
Për këtë qëllim, bashkëlidhur do të gjeni:
1) Aneksin 1 Komente mbi ndryshimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, sëbashku me Amendamentet e propozuara nga ana jonë në lidhje me këto ndryshime.
2) Aneksin 2 – Komente mbi ndryshimet e propozuara nga Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi, sëbashku me Amendamentet e propozuara nga ana jonë në lidhje me këto ndryshime.
Gjithashtu, në mbështetje të nenit 117 të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur do të gjeni disa propozime për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, të propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Ne mbetemi të angazhuar për të luajtur rolin tonë konstruktiv në këtë proces të rëndësishëm parlamentar, duke shpresuar që mazhoranca do të heq dorë nga imponimi i rregullave të njëanshme dhe ndryshimeve pa konsensus në Rregulloren e Kuvendit.









