Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar në përvjetorin e lirimit të tij nga burgu, duke rikujtuar periudhën e vuajtjes së dënimit dhe duke e cilësuar atë si një “sprovë të burgosjes politike”.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Salianji shprehet se bindjet dhe idealet nuk mund të kufizohen nga pengesat apo presioni politik.
Postimi i Salianjit:
Sot, një vit liri.
Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.
Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.
Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin.