Presidenti rus Vladimir Putin e thjeshtoi procesin e dhënies së shtetësisë për banorët e rajonit të Transnistrisë të Moldavisë, të cilin presidentja moldave Maia Sandu e quajti një mjet mobilizimi për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Putin nënshkroi të premten një dekret që u lejon banorëve të rajonit të shkëputur të Moldavisë të marrin shtetësinë ruse pa pasur nevojë të banojnë në Rusi ose të flasin rusisht.
Sandu iu kundërpërgjigj të shtunën, duke thënë se “ndoshta ata kanë nevojë për më shumë njerëz për të dërguar në luftën në Ukrainë”.
Ajo sugjeroi se ishte një nga taktikat e Rusisë për të kërcënuar Moldavinë për shkak të përpjekjeve të saj për të riintegruar Transnistrinë, një rajon i mbështetur nga Moska në Moldavinë lindore, ku trupat ruse janë stacionuar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
“Që kur filloi lufta në Ukrainë, shumica e njerëzve nga rajoni morën shtetësinë moldave sepse ndiheshin më të sigurt të kishin shtetësinë e Republikës së Moldavisë dhe jo shtetësinë e Rusisë”, tha Sandu.
Moldavisë iu dha statusi i kandidatit të BE-së në vitin 2022 dhe zyrtarisht filloi negociatat për t’u bashkuar me bllokun në vitin 2024. Partia pro-evropiane e Sandu-së, Veprimi dhe Solidariteti, mban një shumicë të fortë në vend pasi fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 pavarësisht një fushate ndërhyrjeje hibride nga Rusia .
Kur u pyet nëse Putini mund ta bllokonte anëtarësimin e Moldavisë në BE për shkak të rastit të Transnistrisë, Sandu u përgjigj se “vetëm BE-ja mund të vendosë nëse Moldavia mund të bëhet pjesë e BE-së apo jo. Rusia nuk ka të bëjë fare me këtë”.









