Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me anë të një postitmi në faqen faceook përmes strukturave zyrtare të ministrisë ka njoftuar për takim që ka mbajtur sot me homologun e tij në Belgjikë, Maxime Prévot, duke thënë se përshëndeta veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur një ambasadë në Tiranë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha postim në X:
Shumë i kënaqur që ndodhem në Bruksel për një vizitë zyrtare në Belgjikë.
Jam thellësisht mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe bujare, si dhe për diskutimet e shkëlqyera që pata me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim, Maxime Prévot. Takimi ynë riafirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Belgjikës, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë dypalësh.
Përshëndeta veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur një Ambasadë në Tiranë, një hap konkret dhe shumë i vlerësuar që do t’i japë një ritëm të ri bashkëpunimit tonë. Shprehëm besimin tonë se ky zhvillim i rëndësishëm do të kontribuojë në zgjerimin e lidhjeve ekonomike, rritjen e tregtisë dhe investimeve, promovimin e turizmit, avancimin e bashkëpunimit në energjinë e rinovueshme dhe krijimin e mundësive të reja në një sërë sektorësh.
Diskutimet tona u përqëndruan gjithashtu në bashkëpunimin tonë të ngushtë në fushat e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe në sfidat më të gjera të sigurisë me të cilat përballet Evropa sot. Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet rajonale dhe rëndësinë e ruajtjes së një përgjigjeje të fortë dhe të bashkuar evropiane ndaj sfidave aktuale gjeopolitike.
Theksuam kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Belgjikë, i cili shërben si një urë e vlefshme midis dy vendeve tona dhe luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve njerëzore, kulturore dhe ekonomike.
Shpreha vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për zgjerimin, procesin tonë të anëtarësimit në BE. Pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare të suksesshme, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re vendimtare të rrugëtimit të saj, me një fokus të qartë në përmbushjen e reformave të mbetura, avancimin e negociatave dhe lëvizjen e qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
I dashur Ministër, i dashur Maxime, do të jetë kënaqësi e madhe për mua t’ju kthej mikpritjen tuaj dhe t’ju mirëpres në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur. Pres me padurim të vazhdoj diskutimet tona të shkëlqyera, duke forcuar më tej lidhjet midis dy vendeve tona në frymën e vërtetë evropiane dhe duke ju dhënë mundësinë të përjetoni mikpritjen shqiptare nga afër.
Postimi i Zëvendëskryeministrit dhe Minisrit të Jashtëm belg, Maxime Prévot në X:
Mirë se vini! Jam i kënaqur të mirëpres Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ferit Hoxha në Bruksel, një mik dhe një ish-diplomat që e njeh shumë mirë këtë qytet nga vitet e tij si Ambasador këtu. Dhe për fat të keq i njohur me shirat tipikë belgë!
Patëm një takim plot lajme të mira. Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një sinjal i qartë i rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënies sonë. Dhe vetëm javën e kaluar, Shqipëria u bë vendi i dytë kandidat i BE-së që mori IBAR, duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe për të cilën e përgëzojmë ngrohtësisht Shqipërinë.
Belgjika e inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në këtë rrugë me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Rruga drejt anëtarësimit bazohet në meritë dhe Shqipëria po dëshmon se mund të japë rezultate.
Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë dypalësh në drejtësi, polici dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin rajonal. Ballkani Perëndimor është në krye të axhendës sime. Pres me padurim të vizitoj Tiranën vitin e ardhshëm për hapjen e ambasadës sonë.









