Policia e Shtetit ka njoftuar marrjen e masave të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë në lidhje me ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, që do të zhvillohet këtë të shtunë në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Në kuadër të këtyre masave, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë pranë stadiumit, si dhe kontrolle të shtuara për tifozët në hyrje të impiantit sportiv.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar
- Sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
/5pyetjet.al









