Parisi dhe Berlini po vlerësojnë mundësinë e një reforme të thellë të shërbimit diplomatik të Bashkimit Evropian, me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhimin e krizave ndërkombëtare.
Sipas raporteve të gazetës Financial Times, disa kryeqytete evropiane po diskutojnë ndryshime që mund të përfshijnë rishpërndarjen e përgjegjësive të shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, si dhe të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), i cili ka një buxhet vjetor prej rreth 1 miliard eurosh.
Burime diplomatike bëjnë me dije se një nga opsionet e shqyrtuara është transferimi i disa kompetencave nga EEAS te Komisioni Evropian dhe vetë shtetet anëtare.
Shërbimi diplomatik i BE-së u krijua para 15 vitesh për të koordinuar politikën e jashtme të unionit, por zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë nxitur debate mbi nevojën për një strukturë më të shpejtë dhe të efektshme në reagim. Deri tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, ndërsa diskutimet mes vendeve anëtare vazhdojnë.









