Gjatë protestës së kësaj të shtune në Tiranë, ku morën pjesë edhe qytetarë nga diaspora shqiptare, disa prej tyre kanë mbajtur fjalime nga foltorja para Kryeministrisë, duke artikuluar kërkesa për ndryshim politik dhe dorëheqje të kryeministrit Edi Rama.
Një qytetar i ardhur nga Britania e Madhe i vendosi si afat 21 qershorin për dorëheqjen e kryeministrit, duke kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.
“Nga Britania i kërkojmë Ramës dorëheqjen dhe një qeveri teknike për 12 muaj… Ramën e sfidoj: jep dorëheqjen deri më 21 qershor”, tha ai.
Një tjetër protestues nga diaspora e cilësoi protestën si moment historik dhe bëri thirrje për vijimin e përpjekjeve për ndryshim politik, duke theksuar se “heshtja nuk duhet të bëhet bashkëpunëtore e fajësisë”.
Një pjesëmarrës tjetër iu përgjigj deklaratave të kryeministrit për diasporën, duke thënë se emigrantët që sot janë të pranishëm në protestë e kanë ndërtuar jetën e tyre me punë dhe sakrifica jashtë vendit.
Ndërkohë, një qytetare e ardhur nga Italia theksoi mbështetjen e diasporës për protestën, duke deklaruar se kërkesa për dorëheqje do të vijojë deri në përmbushjen e saj.









