Protesta në Tiranë
Shikimi në dy këndvështrime:
- Nga këndi i të diturit, Edi Rama ia del dhe duhet t’ia dalë. Sepse pushteti “demokratik” nuk lejon konkurrencë të vërtetë.
- Nga këndi intelektual, Edi Rama duhet të japë dorëheqje. T’i japë mundësi “demokracisë” dhe të rikonfirmohet.
Do t’ia preferoja pikën e dytë, me këtë arsyetim:
Edi Rama është në mandatin e katërt. Ka marrë përqindje të lartë të trupit elektoral dhe, nga 140 deputetë sa ka Kuvendi, Partia Socialiste ka mbi 80. Pra, ai ka një shumicë të fortë parlamentare.
Në rrethana normale, kjo do të mjaftonte për qeverisje të qetë. Por problemi nuk qëndron vetëm te numrat. Problemi qëndron te dobësia e opozitës parlamentare: e dobët politikisht, e paorganizuar dhe pa ide të qarta për të qenë opozitë e denjë.
Pse protesta?
Trupi elektoral, pra qytetarët me të drejtë vote, e krijon shumicën parlamentare dhe opozitën parlamentare. Por kur opozita parlamentare mbetet e dobët, trupi elektoral ruan të drejtën legjitime të presionit publik.
Kjo e drejtë u takon edhe qytetarëve që nuk kanë votuar, të cilët zakonisht janë pjesë e madhe e shoqërisë politike. Prandaj, kur kërkesat janë të qarta, legjitime dhe të drejta, presioni publik mund të shkojë deri te kërkesa për dorëheqjen e qeverisë së shumicës parlamentare.
Qëndrueshmëria e protestës tregon se ajo nuk është zhurmë kalimtare. Protestuesit janë pjesë e trupit elektoral dhe, në mungesë të një opozite parlamentare të fortë, po shndërrohet në opozitë reale.
Prandaj, Edi Rama nuk është më vetëm përballë një opozite parlamentare të dobët. Ai është përballë një opozite të krijuar jashtë Parlamentit, nën pretekste sociale, por me peshë politike. Kjo opozitë e rrugës, natyrshëm, po e zëvendëson opozitën parlamentare.
Nëse Edi Rama e lexon drejt këtë moment dhe sillet me mençuri, ai duhet të hapë rrugë për rikonfirmim. Rikonfirmimi do të ishte, në fakt, rilegjitimim.
Nëse e bën këtë, Edi Rama del më i fortë: demokrat, lider dhe figurë politike e pazëvendësueshme. Nëse nuk e bën, hyn në zonën e të paparashikueshmes dhe dëshmon se pushteti e ka mundur liderin.
Shënim: Lejohet shpërndarja dhe publikimi i këtij shkrimi në media sociale dhe portale.









