Deputetja demokrate për qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, gjatë mbeldhjes së sotme në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deklaroi se mazhoranca rrëzoi me 7 vota kundër kërkesën e saj për të përfshirë në projekt-kalendarin e punimeve nismën ligjore për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.
Postimi i Zhupës
Sot, në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkova që në projekt-kalendarin e punimeve të përfshihej për shqyrtim nisma ime për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të cilën e kam depozituar që më 14 maj.
Përfaqësuesit e mazhorancës votuan 7 vota kundër dhe refuzuan ta fusin në kalendar deri në fund të korrikut. Një vendim që tregon qartë se nuk duan as debat, e jo më shfuqizim të këtij ligji.
Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.









