Skenat e një ditë më parë ku disa efektivë policie kapën dhe tërhoqën me forcë, zvarrë një të moshuar nga shtëpia e saj në lagjen “5 Maji” bënë xhiron e mediave, madje edhe përtej kufijve.
Liza Marku e kaloi natën jashtë dhe mbrëmjen e sotme protestoi përpara drejtorisë së policisë së Tiranës së bashku me një grup tjetër banorësh, që gjithashtu kundërshtuan deri në fund prishjen e shtëpive të tyre nga IMT për t’i hapur rrugën lagjes së re për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019. Nënë Liza thotë se Edi Rama dhe Erion Veliaj e prenë në besë.
“Nuk ka ku të shkoj më keq, të kesh shtëpinë tende dhe të dalësh jashtë! Mbrëmë kam fjetur jashtë, nuk kam ku të lahem dhe ku të ndërrohem. Erion Veliaj dhe Rama na prenë në besë, ne nuk e dinim. Ata janë mafiozë të mëdhenj. Na thanë do t’i fikim dritat në orë 6 dhe na i fikën në orën 4. Na zunë pa përgatitur për të prishur shtëpitë.
Ne dolëm para dhe ata na shtynë, na morën para. Kur të vijnë me te vjedhur nuk mund tu thuash hajde bujrum. Nuk na lanë as të marrim sendet personale. Nuk e kam ditur se do të ndeshem me policinë në këtë moshë.
Më terr sa është Shqipëri nuk ka më. Kjo nuk është nëna Shqipëri, por nëna e zezë Shqipëri. Më mirë të na kanë vrarë. Nuk i kam votuar për të më prishur shtëpinë” u shpreh ajo.
Kryeministri Edi Rama sot dhe Erion Veliaj dje u shprehën të vendosur që projekti do të vazhdojë. Sipas tyre, personat që protestojnë janë një pakicë që i kishin banesat pa legalizuar. Megjithatë, tha më tej Rama, dhe kjo kategori nuk është hedhur në rrugë, por janë ndihmuar.
/ 5pyetjet