Kanë vijuar gjatë natës sulmet ajrore të ushtrisë ruse në zonat lindore të Ukrainës, aty ku prej ditësh është vendosur dhe fokusi i luftimeve mes dy palëve.
Autoritetet bëjnë me dije se 8 civilë humbën jetën në Odesa pasi dy raketa ruse ranë mbi një zonë rezidenciale. Ushtria ukrainase deklaron se vijojnë përleshjet dhe në rrethinat e metalurgjikut të Azovstal, ku qindra ushtarë dhe civilë qëndrojnë të bllokuar në tunele nëntokësore.
Gjatë ditës së shtunë pati kërkesa nga pala ukrainase që të hapen korridore për evakuimin e civilëve në Mariupol, gjë që u pranua nga rusët, por që dëshmitë në terren thonë të kundërtën.
Për këtë arsye, përmes një konferencë për shtyp, presidenti Zelensky deklaroi se Ukraina mund të tërhiqet nga bisedimet nëse Rusia vret ushtarët e fundit në Mariupol apo organizon një referendum për pavarësinë në Kherson.
Gjatë ditës së diel pritet dhe vizita e sekretarëve amerikanë Blinken dhe Lloyd si një nga sinjalet më të forta të mbështetjes ndaj Ukrainës në këtë fazë delikate. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë për këtë vizitë.