Menjëherë pas deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ku i bën thirrje opozitës të dorëzojnë emrat për president, ka pasur një reagim nga ana e Partisë Demokratike.
Sekretari i Grupit të PD-së, Arbi Agalliu deklaroi se PS u tërhoq nga pakti pasi pa emrat e kandidatëve për President.
“Taulant Balla u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin ai vetë ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve. Mesa duket, pasi mësuan kandidatët e propozuar nga deputetët e PD, njerëz seriozë e me integritet, që nderojnë Shqipërinë, u tërhoq pa shpjegim dhe bën sikur nuk kupton”.
Ai theksoi se PD është për një President për të gjithë shqiptarët dhe që nderon Shqipërinë.
“PS kërkon President vetëm për socialistët për ta pasur në xhep Rama. Këtë të dytën mund ta bëjë, me mandatet e vjedhura dhe deputetët non grata, por jo me PD-në”.
Në raundin e dytë dhe të tretë të negociatave me mazhorancën, në total opozita do të prezantojë katër emra. Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.