Sali Berisha po bëhet gati për protesta. Në mbledhjen e sotme me kryetarët e degëve sulmoi nismën e Ballkanit të Hapur edhe Edi Ramën, që sipas tij është kthyer në vasal të Presidentit serb Vuçiç. Më tej, pasi sulmoi gazetarët që mbrojnë nismën, kaloi te armiku i vjetër, George Soros.
“Shqiptarët i detyrohen sot Albin Kurtit mbrojtjen nga një projekt që vendos hemogjeninë e pastër serbe. Nga një projekt që në vend që të sanksionojë bashkëpunimin mes kombeve të barabarta sanksionon poshtërimin e saj nga Beogradi i vogël që është Tiranë dhe të tjerë.
Me qëllimin më anti-shqiptar për ta paraqitur Prishtinën, sherrin e Ballkanit, ndërkohë që është Beogradi sherri. Flasin për leverdi ekonomike? “The Economist” thotë se nga Ballkani i Hapur përfiton vetëm Serbia. I gjithë rrjeti i Sorosit është ngritur në këmbë për të mbrojtur Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur është projekt rus, i kundërvihet Procesit të Berlinit. Këtë e firmosi Sergei Lavrov.
Hegjemoni serbe do të thotë influencë ruse. Për këtë po punon Rama. Asnjë nuk e përgënjeshtroi Lavrovin. Autori i projektit është George Soros, e patë Alex Soros në Ohër, që i vendos në rresht kryeministrat” tha ai.
Lideri historik i së djathtës sulmoi edhe ndërkombëtarët. Edhe pse nuk e përmendi me emër konkret, “kunji” ishte i qartë që shkonte për ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, të cilën më parë e ka akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të PD-së.
“Dështuan sikur e meritonin t’i caktojnë një kryetar PD-së, do të përpiqen të mbajnë në qeverisje Ramën, por prapë do të dështojnë nëse ne do të ngrihemi në nivelin e lartësisë sonë” u tha Berisha, demokratëve.